Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar nisjen e Kartës së Studentit, një instrument mbështetës për të rinjtë që ndjekin studimet në qytet. Sipas tij, mbi 3700 studentë do të përfitojnë nga kjo nismë.
Karta e Studentit vjen në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, dhe synon të ofrojë lehtësira konkrete në përditshmërinë e studentëve.
Sipas njoftimit, karta do të mundësojë më shumë se 100 përfitime në nivel kombëtar, përfshirë zbritje deri në 70% në biznese partnere, shërbime falas dhe oferta ekskluzive.
Beci e cilësoi këtë iniciativë si një investim për të rinjtë dhe për të ardhmen e qytetit, duke theksuar se aplikimi do të kryhet online ose pranë sporteleve përkatëse. Karta pritet të shpërndahet së shpejti për studentët përfitues.
"Karta e Studentit është gati. Mbi 3700 të rinj që studiojnë në qytetin tonë do të kenë tashmë një mbështetje konkrete në përditshmërinë e tyre. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, sjellim një instrument që përkthehet në përfitime reale: më shumë se 100 lehtësira në të gjithë vendin, zbritje deri në 70% në biznese partnere, shërbime falas dhe oferta ekskluzive. Kjo kartë është një investim tek studentët, tek energjia dhe e ardhmja e Shkodrës. Aplikimi online ose në sportel. Shumë shpejt në duart e tyre.", shkruan Beci.
Lini një Përgjigje