Mësohet se për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar reduktohet në 1 vit burg.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për kryebashkiaken e Rroskovecit, Majlinda Bufi, e akuzuar për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Mësohet se për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar reduktohet në 1 vit burg.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu që ekzekutimi i dënimit të pezullohet, duke e vendosur kryebashkiaken në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Nëse pranohet nga gjykata, kjo do të thotë se Bufi nuk do ta vuajë dënimin me burg në mënyrë të menjëhershme. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga gjykata.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar heqjen e funksioneve publike për 5 vite.
Bufi u mor e pandehur nga SPAK në nëntor t 2025. Hetimi, nisi pas një kallëzimi penal kundër saj. Gjatë dy viteve të fundit, ndaj Bufit janë depozituar tre kallëzime në SPAK, dhe të paktën dy herë ajo është paraqitur për të dhënë deklarime.
Hetimi i SPAK
SPAK i referohet disa përgjimeve që janë publikuar në media, ku Bufi shfaqet duke i ushtruar presion një qytetari, Gazmend Boranji, i cili ishte mbështetës i kandidatit të opozitës, që të mos shkojë të votojë, as ai dhe as familja e tij. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Bufi ka përdorur situatën e tij për t’i bërë presion, pasi qytetari kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, por nuk nga ana tjetër kishte as dokumente pronësie.
Hetimet e SPAK zbuluan se banesa për të cilën qytetari në fjalë kishte kërkuar ndihmë nga bashkia nuk ishte një shtëpi ekzistuese, por ai sapo i kishte nisur punimet dhe nuk kishte as dokumentacion të plotë pronësie. Pavarësisht kësaj, ai ishte përfshirë në programin e mbështetjes sociale, dhe Bufi ishte në dijeni të situatës.
Pak ditë para takimit me kryebashkiaken, punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social.
Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”. Ndër të tjera në këtë takim, Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku personi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës.
“E di si shpëton ti nga kjo gjë? Nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapësh gojë e të shikosh punën tënde. Mos ik fare për votim, vetëm rri në shtëpi dhe shiko punën tënde. Të mos flasësh asnjë fjalë, ti dhe familja jote”, dëgjohet ti thotë Bufi në përgjime qytetarit.
Nga hetimet e SPAK rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, i ka kërkuar shtetasit G.B. që të mos merrte pjesë në votime dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
Shtetasi G.B. ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i kushteve të banimit”.
Lini një Përgjigje