Aktualitet 5 Shtator 2023, 10:36

Kryebashkiaku i Tropojës në SPAK, avokati: Ka favorizuar kushurinjtë e tij me guroren dhe ka zaptuar gjithë zonën

Shkruar nga Pamfleti
Kryebashkiaku i Tropojës në SPAK, avokati: Ka favorizuar
Arben Llangozi

Avokati Arben Llangozi ka komentuar kallëzimin në SPAK të banorëve të Njësisë Administrative Fierzë për kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberajn.

Sipas banorëve të zonës, kryebashkiaku i Tropojës ka favorizuar kushurinjtë e tij në lidhje me një gurore në zonë, në kundërshtim të hapur të ligjit për konfliktin e interesit.

Llangozi tregoi se vetë subjekti nuk ka asnjë lloj leje ndërtimi apo dokumentacioni për mënyrën si e ka fituar pronësinë për zhvillimin e një leje.

“Janë 1200 banorë që janë kundër krijimit të kësaj vepre në atë vend. 320 janë personat që deri tani kanë firmosur kundër kryetarit të bashkisë sepse kallëzimi duhej emergjent dhe duhet të ishte bërë në një kohë sa më të shkurtër,” – u shpreh avokati i banorëve në një intervistë për Euronews Albania .

Llangozi shtoi se zona është shumë e bukur dhe po shkatërrohet nga të afërmit e Byberajt të cilët s’janë mbështetur në asnjë pikë ligjore.

Ai shtoi se dyshojnë që dhe shefi komisariatit ka shpërdoruar detyrën lidhur me këtë çështje duke ofruar favore. Sipas avokatit, problemi nuk qëndron vetëm te favorizimi që i është bërë të afërmve të kryebashkiakut, por edhe te zaptimi i territorit pa asnjë dokumentacion.

“Në bazë të ankesave që ne kemi bërë ditën e djeshme, institucionet e shtetit shqiptar, për herë të parë ka funksionuar IKMT-ja dhe ka vendosur prishjen dhe rrëzimin. Ka rreth 1 javë që i kemi dërguar shkresë IKMT-së dhe ka ndërhyrë menjëherë duke vendosur gjobë. Ndoshta është dhe fuqia e SPAK-ut që aktualisht po vepron mbi institucionet ose drejtuesit e institucioneve të shtetit shqiptar që kanë shkelur ligjin,” – u shpreh Llangozi.

arben llangozi rexh byberaj