Aktualitet17 Maj 2024, 22:50

Kush është fajtori i vdekjes së Emiljano Frrokut, që humbi jetën në pallatin pa leje në Shëngjin?

Shkruar nga Pamfleti

Kush është fajtori i vdekjes së Emiljano Frrokut, që humbi

SHËNGJIN- Një javë më parë, Shëngjini u trondit nga vdekja e 28- vjeçarit, Emiliano Frroku në kantierin ku po ndërtohej një pallat. Ai ka qenë duke punuar në katin e 9 dhe më pas është rrëzuar se bashku me vinçin. Familjarët sqarojnë se ai kishte vetëm një muaj që ishte punësuar atje, por nuk ishte i siguruar.

“As sigurim nga dokumentat, as siguri pune. As i lidhur, këtë e kemi të sigurt 100%. Po të kishte qenë i siguruar, do kishin qenë aty edhe pronarët. Emrin e firmës nuk e dimë, por si pronar kështu e ka Lul Ndoci.”

Personi që sipas akuzës është një nga përgjegjësit e tragjedisë dhe që është shpallur ne kerkim një ditë pasi ndodhi ngjarja. Çuditërisht ditën e parë, gjithçka ka qëndruar në heshtje, për t’u bërë publike 24 orë më vonë pas ndërhyrjes së policisë.

“Ne s’na ka ardhur kush me pi kafe. Inxhineri i sigurisë teknike ka fikur telefonin, pronari ka fikur telefonin. Nuk ka ardhur kush te spitali qoftë për të ditur çfarë gjendje ekonomike ka.”

Më shumë se sa pretendime familjarësh të dëshpëruar për çfarë ka ndodhur, këto janë akuza të forta ndaj pronarëve dhe drejtuesve të një kompanie, e cila ka përgjegjësinë e humbjes së jetës nga një 28- vjeçar.

Po kush ka mbetur ne pallatin ku tashme jane vendosur shiritat e policise dhe inspektoriatit te punes?

“Unë jam shok i Lul Ndocit, ai më ka thirrur për tragjedinë që ka ndodhur: hajde se ka ndodhur një aksident. Kur shoh sallatë tjetri. Te ky vendi ka rënë, akoma s’kam mbledhur veten. Ishte policia këtu kur erdha. Nga të firmës nuk ka qenë asnjë. Unë s’di pse ka hipur atje. Luli s’ka lidhje me këtë, por i ka mbetur në derë tani. Luli do përgjigjet për të gjitha”- tha Agustin Zogu.

Në fakt, këtu jemi përpara një truku, sepse Lulzim Ndoci është ndërtuesi i pallatit, por punimet në katin e 9-te po kryheshin nga një tjetër person, i cili ishte bleresi i hyrjes. Ose më saktë kështu është deklaruar pas ngjarjes.

“Një ditë para, x person ka thënë: kontrolloni këto vinça, se nuk më duken mirë. Ka rënë vinçi dhe e ka marrë me vete, se ka qenë I mbështetur I shkreti. Aq ka ndodhur, për një vidë, shihe që s’e kanë vënë. Ka qenë e pakapur. Ma tha shoku i tij, ekspertiza, vinçi ka rënë dhe ka qenë i mbështetur”- shtoi Agustini.

Gjithë kjo sapo dëgjuat, ishte një panoramim i detajuar i ngjarjes së rëndë. Nuk e dimë sa të vërteta janë këto dëshmi dhe nëse janë marrë në konsideratë nga grupi hetimor, ajo që dimë me siguri, është se nga gjithë ky shpjegim shihet qartë se kushtet e sigurisë në këtë kantier kanë qenë jashte çdo standardi.

“Unë mendoj që vinçi s’ka qenë i lidhur fare dhe janë munduar ta lidhin. Ai vinçi lart është statik, këta kanë dashur të vënë një poshtë. Kjo është thjesht një moskujdesi e tyre. Nuk e di ç’kanë dashur, po ja sa me të fut në bela.”

Refreni është i njëjtë. Përgjegjësia është individuale e viktimës dhe pronari nuk ka asnje faj per cfare ka ndodhur. Po në diskutim teknik, për çfarë shkeljesh flitet në këtë aksident tragjik?

“Një kantier ndërtimi duhet të fillojë me masën e sigurimit teknik, që në rrethimin e kantierit, në tabelat që paralajmërojnë sigurinë dhe mbrojtjen në punë. Punonjësit nuk mund të merren punë thjesht se kam nevojë ta marr në punë punonjësin. Ata duhet të jenë punonjës të cilët e njohin sektorin e ndërtimit, e njohin punën, trajnohen dhe instruktohen nga subjektet e veçanta që merren me të, nga inxhinieri i kantierit apo organizatat e tjera që janë në lidhje me punëdhënësin, me kontratat e ndryshme për sigurinë në punë. Gjithashtu, punonjësi që fillon punë rishtazi nuk mund të shkojë të punojë në një punë që paraqet rrezikshmëri të lartë. Dhe nëse ai punësohet duhet të sigurohet një ditë më parë, deklarohet në organet tatimore, sigurohet në pajisjet me veshjet e punës, i bën të qarta rregullat e sigurimit teknik”- sqaroi Ilmi Tota, ekspert i sigurisw nw punw.

E gjithë kjo listë e gjatë detyrimesh, duket se nuk ka funskionuar aspak në objektin në fjale...madje mund të guxojmë ta themi, që kjo shmangie nga rregullat strikte te kantiereve të ndërtimit, ndodh rëndomë në të gjithë vendin. /Piranjat