Aktualitet 1 Qershor 2023, 15:46

Lënia e Belerit në burg “tërbon” Athinën, kërcënime e sulme ndaj drejtësisë: Do informojmë të gjithë partnerët evropianë

Shkruar nga Pamfleti

Lënia e Belerit në burg “tërbon” Athinën,

Athina duket se nuk gjen qetësi sa i takon hetimit dhe arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të Himarës. Duke ndërhyrë hapur në punët e shtetit shqiptar dhe për më tepër te drejtësia, Athina Zyrtare ka reaguar ashpër sot mbi vendimin e Apelit për të lënë në burg Fredi Belerin.

Ky i fundit u kap në flagrancë duke blerë vota dhe Apeli sot i cilësoi të drejta akuzat e prokurorisë, duke mos e nxjerrë nga qelia. Ky veprim ka tërbuar grekët, të cilët nuk kanë humbur rastin të akuzojnë.

Refuzimi i sotëm i ankesës së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kundër vazhdimit të paraburgimit të tij, nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit ligjor, ndërkohë që nuk përbën trajtim të drejtë të një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor. Kjo pasi, siç del nga një njoftim i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, është i vetmi paraburgim nga 31 procedime në total për krime elektorale.

Lënia e tij në burg rrezikon gjithashtu marrjen e detyrës si kryetar bashkie. Vijimi i paraburgimit ka qenë objekt i bisedës së sotme mes ministrit të Jashtëm Vasilis Kaskareli dhe homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka në Oslo, në margjinat të takimit joformal ministror të ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Ministria e Punëve të Jashtme e mban çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE”, thekson Athina.

Fredi Beleri u arrestua në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Ai akuzohet për blerje votash dhe dosja kaloi nga prokuroria e Vlorës në SPAK. Beleri ju drejtua sot Apelit duke kërkuar masë sigurie më të butë, por gjykata e refuzoi.

 

beleri athina