Shqiptarët kryesojnë listën e sipërmarrësve të huaj në Greqi, duke u renditur të parët me diferencë të madhe ndaj komuniteteve të tjera. Sipas të dhënave të publikuara nga media greke Newsbomb, në Greqi janë të regjistruar 4,460 numra tatimorë të sipërmarrësve shqiptarë, një tregues i qartë i rritjes së ndjeshme të aktivitetit të tyre ekonomik në shtetin fqinj.
“Sipërmarrësit shqiptarë në vendin tonë janë në vendin e parë në sektorin e biznesit të huaj, me një diferencë të madhe , pasi në vendin tonë janë regjistruar 4,460 numra tatimorë shqiptarë. Njerëzit që erdhën në vendin tonë dy dhe tre dekada më parë dhe pavarësisht kushteve të vështira, hendekut gjuhësor dhe krizës ekonomike, arritën të qëndronin në këmbët e tyre dhe të krijonin me sukses bizneset e tyre, duke krijuar vende pune dhe duke ofruar shërbime të vlefshme në sektorë që vendasit tani i shmangin”, shkruan media greke.
Valët e para të shqiptarëve mbërritën në Greqi në fillim të viteve 1990, të shtyrë nga kriza ekonomike dhe tranzicioni i vështirë pas rënies së komunizmit.
Për vite të tëra shqiptarët punuan në ndërtim, bujqësi, shërbime shtëpiake dhe sektorë ku grekët kishin filluar të mos punonin më. Sot, shumë prej shqiptarëve të atyre viteve janë, pronarë kompanish ndërtimi apo biznesmenë në sektorin e bujqësisë dhe produktit të freskët.
Këta sipërmarrës jo vetëm që kanë konsoliduar ekonominë e familjeve të tyre, por kanë krijuar vende pune për grekë dhe emigrantë të tjerë, duke u shndërruar në një faktor real zhvillimi lokal. Shumë prej tyre që filluan me punë ditore sot drejtojnë biznese të licencuara që paguajnë taksa dhe kontribute, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit grek.
Sipas vlerësimeve të tregut, shqiptarët janë veçanërisht aktivë në: ndërtim dhe rinovime, shërbime teknike(hidraulikë, elektricistë, pikturues, bujqësi dhe punime sezonal, transport të vogël dhe logjistikë, restorante, furra dhe njësi ushqimore, pastrim, mirëmbajtje dhe shërbime shtëpiake
Pikërisht këta sektorë janë ata që vendasit i shmangin” siç raportoi media greke. Fakti që shqiptarët mbajnë vendin e parë ndër sipërmarrësit e huaj, më shumë se tre dekada pas mbërritjes së tyre në Greqi, vlerësohet si një tregues i fortë i integrimit dhe i aftësisë për të kapërcyer sfidat e vështira të emigrimit.
Lini një Përgjigje