
Hapat që pritet të ndiqen kanë të bëjnë me verifikimin e dokumenteve të publikuara në media, më pas do të kërkohet më shumë informacion qoftë nga zyrtarët e PD-së, ashtu edhe me letër-porosi nga SHBA, gjë që duket se do të vendosë edhe atë se si do të vijohet me këtë kontratë lobimi…
SPAK ka nisur verifikimet lidhur me kontratën e lobimit të PD-së së Sali Berishës në SHBA, me vlerë 6 milionë dollar, e ndarë në 2 vjet, me një parapagesë 750 mijë dollar.
Kontrata u bë publike një ditë më parë nga mediat, ndërsa PD në një reagim publik ka sqaruar se fondi është dhënë nga mbështetës të kësaj partie në diasporë.
“Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë, për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij.
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe nga demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve për shkak të regjimit të Edi Ramës.

Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje”, shprehet PD.
SPAK nuk jep më shumë detaje lidhur me verifikimet që po kryen, por ccështja në fjalë po shihet me prioritet nga prokurorët e Prokurorisë Speciale. Hapat që pritet të ndiqen kanë të bëjnë me verifikimin e dokumenteve të publikuara në media, më pas do të kërkohet më shumë informacion qoftë nga zyrtarët e PD-së, ashtu edhe me letër-porosi nga SHBA, gjë që duket se do të vendosë edhe atë se si do të vijohet me këtë kontratë lobimi.
Demokratët shpresojnë se referuar kësaj kontrate lobimi do të ketë rezultate të shpejta në raportet mes PD dhe administratës Trump, ku duket se synimi është heqja e sanksioneve ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili prej majit 2021 është me statusin ‘non grata’.
Kompania me të cilën demokratët e Berishës kanë lidhur kontratën e lobimit është Continental Strategies. Sipas aktivistes shqiptaro-amerikane, kjo kompani në vitin 2024 kishte 25 klientë dhe të ardhura 1,774,000 dollarë.

Kokalari e konsideron si një jackpot për kompaninë faktin se ajo në 2025 nënshkroi një kontratë lobimime vlerë 6 milionë dollarë me Sali Berishën, nga të cilat $750,000 u paguan kur firmosën kontrata!
Si garantor i kontratës ka dalë Nuredin Seci, i cili është anëtar i kryesisë së degës së re të Vatrës në Neë Jersey. Por Evi Kokalari shkruan se kjo degë u hap në muajin mars të këtij viti, pra 1 muaj më parë.
“Nuredin Seci e ka firmosur garancinë si ‘anëtar bordi’, që mund të jetë anëtar i bordit të Vatrës NJ.
Nëse Vatra ka dalë si garantore për këtë kontratë që po paguhet me para korrupsioni, ky do jetë skandali më i madh i Vatrës në 112 vjet ekzistencë”, shkruan Kokalari. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje