Editorial28 Shtator 2023, 11:20

“Mbreti i ri” i basteve

Shkruar nga Pamfleti
“Mbreti i ri” i basteve
"Mbreti" i zhdukur i basteve dhe "mbreti" i ri Olsi Rama

Në shtator 2022, Edi Rama, për ta ekspozuar Ervis Martinajn si “gogolin” e basteve, angazhoi kundër tij gjithë mediat që ka në shërbim, ministrat, Komitetin Olimpik, Federatën e Futbollit, FNSH-ën, Anti-krimin, SHISH, Anti-terrorin, prokurorinë e SPAK-un, madje urdhëroi Rrumbullakun e Çuçin, ta gjenin brenda 1 muaji...

Nëse nuk dihet akoma, se cilët të huaj do jenë maska e bosëve shqiptarë, që do marrin monopolin e kultivimit të hashashit në 200 hektarë ferma, po flitet se pjesë ortakërie e këtij biznesi do jetë familja kryeministrore.

Ndërsa për monopolin e basteve on-line, ka indicie e prova konkrete, se zotëruese do jetë familja e kryeministrit Edi Rama dhe klani mafioz turk pranë tij, të cilët po bëjnë propagandë intensive, sikur ky biznes do jetë gjoja “shpëtim për buxhetin e shtetit dhe mbështetje financiare për sportin”.

Një nga linjat e propagandës për ligjërimin dhe kontrollin e basteve, është sulmi i përqendruar i shtetit dhe mafies së re të bixhozit kundër Ervis Martinajt, duke e quajtur ish-“Mbreti i basteve” që paska pasur në dorë ato në mënyrë të paligjshme.

Realisht, Martinaj ka pasur një pjesë të biznesit të basteve me licenca, ndërsa pjesën VIP e të shumicës së tyre, madje edhe kazinotë pa licenca gjatë pushtetit të Edi Ramës, i kanë pasur bosë ndërtimi kullash, aksionerë bankash, resortesh, trafikantë kokaine e politikanë, ndër ta Dajlan Avdia në ortakëri me Fidel Yllin, i cili po udhëheq propagandën për rihapjen e basteve edhe kundër të etiketuarit ish-“Mbreti i basteve”.

Po tani që kupola mafioze e shtetit, me marifetet e saj, fillimisht me  mbylljen e basteve, me zhdukjen “ish-mbretit” të basteve dhe rihapejn e tyre; cili do jetë “Mbreti i ri basteve”, ose më saktë, cili  është ai që do t’i marrë “de facto”, nën maskën e tyre që do kenë 10 licencat?

Deri tani ka dalë publikisht prova zyrtare, që sistemin elektronik të kontrollit të basteve dhe monopolin e monitorimit të këtij biznesi në Shqipëri, do ta kenë ortakët Olsi Rama e Endri Meksi, nëpërmjet kompanisë së tyre koncesionare 30-vjeçare “Moligix”, dhënë si monopol nga Edi Rama me Vendim Qeverie nr. 362, datë 26 prill 2017.

Ky koncesion i vëllait të kryeministrit të “rilindjes” dhe i djalit të ish- kryeministrit të Sudes, u ri-aktivizua nga Agjencia e koncesioneve dhe Ministria e Financave, një javë para miratimit të projekt-ligjit të basteve në komisionet parlamentare të ligjeve e ekonomisë.

Gjatë mbledhjeve në këto dy komisione, disa deputetë të PS dolën hapur kundër rihapjes së basteve, duke i cilësuar biznes që do rikthejë krimet dhe shkatërrimin e mijëra familjeve, por në fund si me telekomandë e votuan të gjithë.

Vetëm fuqia e presionit të Bablokut, i ka detyruar deputetët ta votojnë, sepse ata e dinë që bastet on-line janë biznes i tij, i vëllait e klanit të tij mafioz, të cilët bashkërisht po investohen intensivisht për t’i rihapur sa më shpejt.

Sepse ka interes personal e familjar në këtë biznes me fitim 170 milionë Euro në vit, prandaj kryeministri Edi Rama, ka folur dhjetra herë si i tërbuar në media e parlament, për rihapjen e tyre me çdo kusht, duke i quajtur “sport e argëtim popullor”.

Ndërsa në janar 2019 kur i mbylli bastet, po ky kryeministër, i quajti “goditje kundër krimit, fund marrëzisë e çmendurisë popullore dhe shpëtim të mijëra familjeve nga konfliktet brenda tyre me pasoja të rënda deri divorce e vrasje”.

Koha do vërtetojë, që Edi Rama është “Mbreti i ri i basteve” dhe “mbretëria” e tij do jenë vëlla Olsi, ortaku Endri Meksi, Gaz Demi, klani i tyre mafioz “Fidel Ylli-Dajlan Avdija” dhe grupi turko-rus që ka hapur kompaninë e basteve on-line “Universe Sh.A” (Arena blu e basteve” me qendër në Durrës.)

Ndryshe, Edi Rama nuk do përdorte qeverinë dhe parlamentin, për të përshpejtuar procedurat e ligjit të basteve brenda 6 muajve; pikërisht pasi klani i tij ekzistues mafioz në rrjetin e basteve  dhe kupola policore, e garantuan për zhdukjen e Ervis Martinajt.

Prandaj në shtator 2022, Edi Rama, për ta ekspozuar Ervis Martinajn  si “gogolin” e basteve, angazhoi kundër tij gjithë mediat që ka në shërbim, ministrat, Komitetin Olimpik, Federatën e Futbollit, FNSH, Anti-krimin, SHISH, Anti-terrorin, prokurorinë e SPAK-un, madje urdhëroi Rrumbullakun e Çuçin, ta gjenin brenda 1 muaji.

Ndërsa ata që do marrin bastet tani, Edi Rama po i paraqet si “engjëj” të zbatimit të ligjit dhe mbështetës të sportit, të cilët sipas tij, do jenë në kontrollin e agjencive ligj zbatuese dhe do mbushin buxhetin e shtetit, kur shtetit, thuhet do t’i japin 20 milionë Euro në vit, ndërsa 170 milionë Euro do t’i mbajnë për vete./Pamfleti

mbreti i ri i basteve ervis martinaj olsi rama

Editorial