Editorial27 Shtator 2023, 10:07

A e ka blerë Edi Rama heshtjen e Ambasadës amerikane?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 A e ka blerë Edi Rama heshtjen e Ambasadës amerikane?!

Kush e ka shkruar skenarin e zi, që Shqipëria të jetë edhe pa Qeveri edhe pa Opozitë, apo jemi gabim ne që nuk e shohim mirë realitetin?

Pse nuk hapen dosjet e hetimit të pasurive dhe veprimtarive të paligjshme për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Meta, apo e kanë blerë drejtësinë?!

Pse SPAK-u, Qeveria, Opozita dhe diplomacia janë në sinkron; as edhe njëherë nuk i zënë me gojë 4 Klanet Mafioze që drejtojnë 20 Familjet Kriminale, shpërdorojnë fondet publike e shtypin skllevërit, kur çdokush i njeh me emër e mbiemër këta?!

Kush e ka shkruar skenarin e zi, që Shqipëria të jetë edhe pa Qeveri edhe pa Opozitë, apo jemi gabim ne që nuk e shohim mirë realitetin?

Po heshtjen e Ambasadës Amerikane përballë skandaleve gati të përditshme, a e ka blerë Edi Rama, apo ne e shohim me syze të zeza realitetin e trishtueshëm?!

Në fshatin Kriminalopolis, të gjithë blejnë e shesin.

Sali Berisha po pasurohet duke shitur informacione nga hackerat iranian të Edi Ramës nëpër mediat që jetojnë me inceneratorët e Erion Veliajt; Babloku forcon muskujt e pushtetit, duke blerë protesta false tek Saliu dhe Ilir Meta; fshatarët mbushin stomakun me pyetje si ‘pyka ahu të stazhionuara’, për t’ia ngulur njëri-tjetrit në vrimat e mendimeve, ose për të çarë dështimet e veta e sharruar nga aty dërrasat e arkivolit të kundërshtive idiote.

Po të mos jetë ashtu, nuk do të ishte kështu, po të mos ishte kështu, do të ishte ndryshe, po të ishte ndryshe, do të kishim opozitë që denoncon, qeveri që kthen gjënë e vjedhur dhe diplomaci që vendos pikat mbi i, siç ende besohet se Shtëpia e Bardhë nuk do bëjë vendnumëro në premtimin për shembjen e çatisë së kriminelëve të Ballkanit.

Është lojë e rrezikshme, thua ti?!

Të lumtë lexues, ashtu mendojmë edhe ne, edhe ata që i zemëron e vërteta, edhe lojtarët që bëjnë hile edhe kur vjedhin edhe kur ndajnë, edhe kur fshehin sa në Amerikë sa në parajsat fiskale pasuritë, edhe kur veshin kostumet e mashtrimit e shfaqen ekraneve si Perëndi që po kërkojnë Djallin në shtëpinë e vet prej 32 vitesh.

Djallit po synohet t’i shkurtohen brirët edhe në dosjen McGonigal.

Nuk e themi dot, sa kosto nga taksat tona ka kushtuar shefi i FBI-së Charles McGonigal, po ish kryeministri pensionist i Anglisë Tony Blair, siç nuk marrim guximin ta ndajmë misterin në feta aq të holla, a kishte skonto, apo e mori si në ‘tregun e gabit’, blej një e merr dy, heshtjen e ambasadës amerikane, ky Sulltani i Surrelit, që na i tund dështimet si triumf nga Kështjella e Krimit, që tremb votuesit vulnerabël e gazetarët idealistë, me refuzime vizash për në Amerikë, sipas interesave të mafies që komandon.

Të gjithë po e besojnë, se me para krimi, ka futur në thes diplomatët, agjenturat kineze, ruse, amerikane e arabe, për t’i përdorur vetë që t’u varë zorrët në qafe çdo kundërshtari e mëlçitë çdo ujku.

Fshatarët e njohin mirë këtë biznes.

Edhe parodinë e 4 Klaneve Mafioze nëpër realitetin e sistemit të tmerrshëm, e kanë mësuar përmendësh, këtë shtator do të kapen peshqit e mëdhenj, por që çdo shtator, gënjeshtrat me bisht, manipulojnë turmat që jo t’ia presin kokën, por as bishtin nuk kanë mundësi t’ia rruajnë korrupsionit.

Kur shpërdorohet besimi, pasuritë, liritë dhe të drejtat, fjala dhe kryefjala, pse të mos shpërdorohet paksa edhe humori, deri në pavendosmërinë e një pyetjeje që e dëgjon kudo në fshat, a e ka blerë Edi Rama edhe heshtjen e Ambasadës amerikane?!/Pamfleti

edi rama heshtja e ambasadës amerikane

Editorial