Editorial24 Shtator 2023, 09:58

Edi Rama, ky Hrushov me atlete!

Shkruar nga Fadil Lepaja
Edi Rama, ky Hrushov me atlete!
Edi Rama në KS të OKB

Dorën në zemër, askush nuk e di sa divizione i ka Edi.  Historikisht, këtë pyetje për divizionet, si të vetmen fuqi reale e kishte bërë Stalini, duke e nënçmuar haptazi fuqinë e Papës. Pas vdekjes së tij, gjithçka filloi të rrënohet. Një papë polak erdhi në Romë. Pastaj ra muri i Berlinit...

Edi Rama e kapi mikrofonin e Kombeve të Bashkuara, në pikën më kulmore politike të planetit dhe nuk e lëshoi pa u mbajtur mend gjatë.

Dikur Hrushovi e kishte hequr këpucën dhe e kishte përdorur si çekan prej druri për të vënë qetësi në sallën e madhe të OKB. Diçka si në gjykata kishte ushtuar goditja me këpucën e tij, e cila pastaj u bë simbol i një specie të veçantë të reformatorëve agresiv.

Diçka e ngjashme mund t’i ketë shkuar ndërmend të bënte edhe Edit, sigurisht derisa po fliste diplomati rus, por shpejt do ta ketë kuptuar se nuk bën... nuk bëjnë punë atletet. Nuk dëgjohet goditja me atlete përballë ushtimës së makinerisë së zhurmshme ruse, të luftës.

Apo nuk kishte veshur atlete?

Në një foto jashtë sallës, shihej teksa po përsëriste me vete fjalimin e mësuar përmendësh. Pra, po bëhej gati për të ngjitur shkallët e karrierës ndërkombëtare, Edi.

“Divorci” mediatik me Vuçiçin e la përkohësisht pa vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Marrëdhënia e rënduar me Kurtin, nuk ka kapacitet për ta mbajtur në vëmendjen e medias ndërkombëtare. Është veç për konsum (mbarë)kombëtar.

E kur nuk je në media nuk je në politikë. Ky është mësimi që e ka mësuar Edi shumë herët.

Por si ja bën Edi, që ti e nxjerr për dere, ai hyn nga dritarja. Gjithnjë e ke për diçka në qendër të vëmendjes. Pa mundur ti jap shpjegim kësaj e pyeta inteligjencën artificiale. Pastaj, kë të pyesja tjetër? Opozitën?  Të pyesja gazetarët e Edit? Nuk po vendosja të pyes ata që i mban në xhepin e majtë apo të djathtë dhe e lash këtë përpjekje të kotë.

Përse Edi Rama  kombinon kollaren me atletet, nëpër paraqitjet e tij publike, pyeta Inteligjencën Artificiale?

Po flasim për protokollin, takimet ndërkombëtare, burrat dhe burrneshat e shtetit, se për ngjyrat dhe veshjen nuk ja ha qeni shkopin, Edit.  

E dini çfarë më tha Inteligjenca Artificiale?  “Kryeministri Edi Rama, ka një stil të veçantë veshjeje më tha. Ai shpesh kombinon kostumet formale me atlete, duke tërhequr vëmendjen në aktivitete zyrtare ndërkombëtare. Rama ka sqaruar se ai vishet siç e mendon ... “

E shihni pra, nuk flet në rrjet pa e menduar deri në detaje. E ka sqaruar vetë. Është ‘krim’ me paramendim pra. Duket spontan Edi, por nuk është. Gjithçka e bën me paramendim. Është fajtor për suksesin mediatik. Pra, Edi do vëmendje. Është ngopë me vëmendjen vendore, atë mbarëkombëtare, rajonale dhe tani nuk ja heq dot nga dora mikrofonin global. As mos e provoni...

Eh, shumicën e prirjeve, njeriu i zbulon nga nevoja. E kuptojmë për shembull një lider indian, kinez sepse është e pamundur të komunikosh me një miliardë  e disa qindra milion qytetarë, apo Donald Trump dhe personalitete të tjerë nga vendet me qindra milionë banorë, që komunikojnë me popullin e tyre vetëm përmes rrjeteve sociale, por pse duhet ta bëjë këtë Edi Rama, Albini, Abazoviçi, apo cilido politikan shqiptar kur elektoratin e kanë aty afër, në kafenetë pranë kryeministrisë, apo në kënde të ndryshme të  së njëjtës kafene lokale.

Liderët lokalë, edhe nëpër fshatra i njohin me emër. Lazarati fshat ishte, edhe Prekazi, apo Haraqina.

Pra, shumë nga ata Edi i njeh me emër, sidomos oponencën politike apo miqtë, pasi është rritur në lagjen dhe kanë ndjekur shkolla të njëjta.

Nejse, e keni parë Edin? Jo vetëm në “Tironë”, ai njeh qytetarë gjithandej Shqipërisë.  Shkon në Kurvelesh dhe tok dorën me dikë që e takon rastësisht në rrugë, padyshim të njohur, pasi i njëjti nuk shkulë flokët as tregon entuziazëm që po e takon shefin. Thjesht bën detyrën...

Ashtu bën në çdo qytet të Shqipërisë, qoftë edhe me emra më pak ekzotik. Një foto me kryeministrin, kuptohet se të ngre në pozitë, në shtetin virtual.

Politikanët tanë e kanë problem të ndërtojnë mitin. Të gjithë i kanë në lagje. Apo në fshat. Nuk krijojnë dot distancë, prandaj Edi iku në rrjet. ERT është mediumi i parë i gazetarisë politike, virtuale ndër ne. Nuk u ndal me kaq. E dinte se ndër shqiptarë s’të jep vëmendjen askush. Gazetarët e mirë kushtojnë shtrenjtë. Pastaj mediet janë të bizneseve dhe nuk ti japin dot bizneset pa një shërbim. Prandaj u bë vet gazetar, moderator, bëri së fundmi edhe emisionin e tij në rrjetet sociale. E quajmë Podcast, tani.

Ishte vetëm çështje kohe. E kapi edhe mikrofonin e kryesuesit të Këshillit të sigurimit të OKB dhe menjëherë i dha një shuplakë mediatike Rusisë. Le ta dijë bota mbarë, se Edi është shqiptar. E shqiptarët janë më të lashtë se rusët ... edhe më evropian. Mbylli Ballkanin por hapi planetin, Edi.

Aferim o Edi, pse jo, bën mirë një shqiptar që kap majat edhe në politikë. Nuk jemi ne vetëm ata që dinë të këndojnë, të ngrenë pesha, boksier e xhudist/e...! Ne dimë edhe të rrahim të tjerët në emër të planetit. Mos e nënçmoni, një shqiptar që mbron NATO-n dhe planetin.

Herën e fundit, majat ndërkombëtare në politikë i kishte kapur ish presidenti Rugova, me idetë e tij dhe konferencat e tij të famshme për shtyp. E nënçmonin fuqinë e tij, aq sa Millosheviçi pyetej sa divizione i ka Rugova?

Dorën në zemër, askush nuk e di sa divizione i ka Edi.  Historikisht, këtë pyetje për divizionet, si të vetmen fuqi reale e kishte bërë Stalini, duke e nënçmuar haptazi fuqinë e Papës. Pas vdekjes së tij, gjithçka filloi të rrënohet. Një papë polak erdhi në Romë. Pastaj ra muri i Berlinit.../Pamfleti

edi rama hrushovi me atlete

Editorial