TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Dhjetor 2025, 20:56

Mentor Nazarko: SPAK opozita e vetme në vend!

Shkruar nga Pamfleti

Mentor Nazarko: SPAK opozita e vetme në vend!

Analisti Mentor Nazarko deklaroi se Prokuroia e Posçame SPAK, ka mbetur ‘opozita’ e vetme në vend pasi PD-ja dhe partitë e reja janë tepër të dobëta.

Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të Pamfletit, Nazarko tha se SPAK është institucioni që e ka goditur më shumë qeverinë ‘Rama’.

Megjithatë, ai shtoi se pavarësisht se SPAK ka vendosur standarte të larta për funksionimin e drejtësisë, nuk ka arritur të imponojë moralitet të ri në prokurimin publik, që sipas tij, është hallka më e dobët dhe vijon të jetë problematike.

Pjesë nga intervista: 

– Jeni dakord kur thuhet që e vetmja opozitë që i ka mbetur këtij vendi, nëse mund të quhet kështu në thonjëza, është SPAK?

Nazarko: Po, SPAK-u është përpjekur, me gjasë edhe për shkak të asistencës ndërkombëtare, të demonstrojë baraslargësi midis opozitës dhe qeverisë. Mendoj që e ka dëmtuar shumë qeverisjen e zotit Rama, por ndoshta në shumë kuptime, sikur të mos ta kishte dëmtuar, situata do të ishte shumë më e frikshme se ç’është sot. SPAK-u ka vendosur standarde të larta për funksionimin e drejtësisë dhe institucioneve të tjera, qoftë të Prokurorisë së Përgjithshme apo gjykatave.

Nuk ka arritur të imponojë një moralitet të ri publik, ose moralitet të ri social, apo moralitet të ri në prokurimin publik, sepse prokurimi publik është hallka më e dobët ku është fokusuar SPAK-u për të vepruar, për të paditur dhe për të vendosur në bankën e të akuzuarve ministra, zëvendëskryeministra e të tjera. Por nuk po shoh që kjo po reflektohet në moralitet. Po shohim frikë të zyrtarëve të lartë për të firmosur, por nuk shohim një moralitet të ri.

Që efekti i SPAK-ut të ishte maksimal, duhej që ndikimi i tij në pjesën politike të amplifikohej nëpërmjet komunikimit dhe cilësisë së mirë, në mënyrë që edhe shoqëria të lëvizte. Mirëpo, po shohim për shembull që edhe partitë e reja, dhe vetë PD-ja, e cila është e prekur nga veprimet e SPAK-ut, i përdorin arritjet e SPAK-ut kundër kundërshtarëve të vet. Por sikur këto “bëma” të SPAK-ut të kishin ndikim elektoral, atëherë Partia Socialiste nuk do të kishte marrë këtë shumicë që mori në 2025-ën.

Lini një Përgjigje