
Analisti Mentor Nazarko ka Analizuar dokumentin për sigurinë e SHBA, ku paralajmërohej një lloj distancimi nga SHBA. Sipas tij dokumenti, i cili reflekton filozofinë e 'America First' dhe ndikimin e think-tankeve konservatore si Heritage Foundation, e vendos theksin te pragmatizmi ekstrem. Duke folur në “Të Pashoq”, Nazarko tha se ai paralajmëron një tërheqje nga konfliktet e zgjatura dhe një fokusim te mbyllja e luftës në Ukrainë, qoftë edhe përmes marrëveshjeve që mund të duken të padrejta për Kievin, me qëllimin e vetëm për të stabilizuar tregjet dhe për t'u përqendruar te rivali kryesor: Kina.
Mentor Nazarko: Po, e para për ta kuptuar domethënien e atij dokumenti duhet të dimë që dokumente të tilla janë si një lloj bible e veprimit të çdo presidenti amerikan. Pra miratohen çdo katër vjet, përgjithësisht në vitin e parë të të mandateve të tyre. Dhe pra duke e ditur këtë gjë, atëherë do të duhet që të imagjinojmë që ky dokument ka stampën, ka fytyrën, ka personalizimin e këtij presidenti. Natyrisht, ky ishte elementi i parë i kontekstit, por ama elementët e tjerë të kontekstit që janë të dobishëm për ta kuptuar atë, janë që po, ky është një mandat presidencial i cili po zhvillohet ndërsa po mbyllet ose po tentohet të mbyllet konflikti në Ukrainë. Pra atëherë ka elementë të cilët reflektojnë atë orientimin në kohë dhe në hapësirë të këtij presidenti përkundrejt këtij konflikti. Së treti, ai reflekton atë që ka qenë në fakt dokumenti kryesor republikan për presidencën, i cili zakonisht përgatitet nga think tank-e të rëndësishëm, është një që quhet Heritage Foundation apo Projekt 2025. Ato ishin teza të cilat Trumpi i ka thënë gjatë fushatës së tij elektorale, por dhe që i ka rimarrë në mandatin e tij presidencial. Pra, nuk ka asnjë çudi, nuk ka kurrgjë personale apo si të thuash që është produkt 100% i mendjes i personalitetit të Trumpit, por është produkti i, po themi, i dizenjuar, një kostum i qepur sipas personalitetit, po në rastin konkret meqë po përdorim metaforën e kostumit, sipas trupit të Trumpit dhe që reflekton atë qendër pushteti, atë qendër interesash, grupin e interesave që është mbas tij.
Lini një Përgjigje