TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Mars 2026, 21:37

Mes tensioneve dhe përjashtimeve, Alis Narazani merr drejtimin e PD në Elbasan

Shkruar nga Pamfleti
Mes tensioneve dhe përjashtimeve, Alis Narazani merr drejtimin e PD në
Alis Narazani

Alis Narazani është shpallur fitues i garës për kreun e Partisë Demokratike, Dega Elbasan, pasi ka siguruar shumicën e votave në përfundim të procesit të numërimit. Ai do të marrë drejtimin e degës, duke u konfirmuar si zgjedhja e anëtarësisë në këtë proces zgjedhor. Narazani siguroi 477 vota, duke marrë kështu drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Elbasan. 

Zgjedhjet u zhvilluan gjatë ditës, ndërsa pas mbylljes së votimit nisi menjëherë edhe numërimi i votave nga komisioni përkatës. Në total, në proces morën pjesë 1208 anëtarë me të drejtë vote.

Gara për drejtimin e degës ishte e hapur dhe me disa kandidatë, ku përballë njëri-tjetrit ishin Durim Çekrezi, Elior Vila, Lumturi Hasa, Sokol Shkëlzeni dhe Alis Narazani. Ky i fundit konsiderohet si përfaqësues i një brezi më të ri politik brenda Partisë Demokratike.

Procesi në Elbasan nuk ka qenë pa debate, pasi disa emra janë përjashtuar nga lista e kandidatëve. Mes tyre përfshihen Doris Madhi, Rudina Alla, Zheni Gjergjit dhe Alesia Balliu. Për disa prej këtyre rasteve nuk janë bërë publike arsyet e plota të përjashtimit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.

Me këtë rezultat, Narazani merr drejtimin e degës së PD-së në Elbasan në një moment kur proceset e brendshme në parti po zhvillohen paralelisht në disa qytete të vendit dhe shoqërohen me konkurrencë, por edhe tensione të brendshme.

alis narazani drejtim pd gare elbasan

Lini një Përgjigje