
Gazetari Ferdinand Dervishi ka bërë me dije se pronari i MCN TV është kërcënuar sërish, në një kohë kur ende nuk janë zbardhur autorët e incidentit të ndodhur më 10 mars në Tiranë, ku CEO i MCN TV, Endri Meksi, u përball me tre persona të maskuar pranë ambienteve të medias.
Sipas tij, përsëritja e një ngjarjeje të tillë, ndërkohë që rasti i parë është ende nën hetim, ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Dervishi shtron publikisht pyetjen se si është e mundur që Policia e Shtetit nuk ka marrë masa për të garantuar mbrojtjen e ambienteve të MCN TV dhe të vetë Endri Meksit, duke mos vendosur as një patrullë policie në një moment kur rreziku konsiderohet i lartë. Ai thekson se në kushte të tilla, prania e policisë do të kishte një efekt parandalues dhe do të rriste sigurinë për gazetarët dhe drejtuesit e medias.
Në reagimin e tij, gazetari kritikon mungesën e reagimit nga ana e institucioneve ligjzbatuese, duke ngritur dyshime mbi efektivitetin e hetimeve dhe masat konkrete për kapjen e autorëve.
Dervishi ngre pyetjen se "pse një patrullë policie që ndodhej prej kohësh pranë ambienteve të MCN TV është larguar pak para ndodhjes së ngjarjeve", një rrethanë që mbetet e paqartë dhe kërkon një shpjegim zyrtar nga autoritetet përkatës.
"Kërcënohet sërish pronari i MCN
Shteti hesht, i gjithi
Për së dyti, njerëz me maska futen në ambientet e TV MCN dhe tentojnë të dhunojnë, apo më keq akoma, pronarin Endri Meksi.
Pra, ndërkohë që ngjarja e parë, e datës 10 mars 2026, hetohet zyrtarisht, ndërkohë që njerëzit me maska presupozohet të ndiejnë peshën e hetimit dhe kërkimit nga policia, ngjarja përsëritet.
Në 30 vite gazetar nuk e kam parë ndonjëherë shtetin kaq të pazotë dhe të lodhur.
Në vitin 2000, domethënë para 26 vitesh, në një rast të ngjashëm, shteti e ktheu Tiranën përmbys se u goditën gazetarët.
Sot, në 2026, duhet të presin që të tundë këmbën Kryeministri, sepse vetëm kështu janë përshtatur të funksionojnë?
Turp!", shkroi Dervishi në "Facebook".
P.S. Për habi, një patrullë policie, e pozicionuar prej vitesh përballë TV MCN (për të tjera arsye), është larguar para ngjarjeve.
Kujtojmë se më 10 mars, rreth orës 23:00, tre persona të maskuar janë paraqitur pranë ambienteve të MCN TV dhe kanë kërcënuar drejtuesin e televizionit, Endri Meksi. Për ngjarjen është bërë kallëzim nga vetë ai, ndërsa policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Megjithatë, deri në këto momente nuk raportohet për persona të ndaluar.
Ngjarja konsiderohet serioze pasi kërcënimi ka ndodhur pranë ambienteve të një media, duke ngritur shqetësime për sigurinë e gazetarëve dhe klimën e lirisë së medias në vend.
Autorët kanë mbërritur me një automjet tip “Audi” të bardhë dhe kanë qenë të armatosur si dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli. Ata kanë kërcënuar drejtuesin e televizionit dhe më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Saukut. Për ngjarjen është bërë kallëzim nga vetë Endri Meksi, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth dhe të vetë MCN TV për të identifikuar autorët, ndërsa hetimet janë ende në vijim.
Lini një Përgjigje