Nuk kanë fund telashet për Stefano Boerin...
Stefano Boeri, miku i ngushtë i kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe një nga figurat më të përfolura në projektet e betonizimit të Tiranës, ndodhet sërish në qendër të një hetimi penal në Itali.
Prokuroria e Milanos ka hapur një dosje të re për korrupsion dhe falsifikim që ka çuar në kërkesa arresti për gjashtë persona, ndër ta zyrtarë të bashkisë dhe biznesmenë të ndërtimit. Në këtë listë del edhe emri i Boerit, arkitekti i famshëm i “Bosco Verticale” dhe një prej ideatorëve të “Milano 5.0”.

Në këtë fazë, ndaj Boerit nuk është kërkuar masë sigurie, por Njësia e Financës ka kryer bastisje në ambientet e lidhura me të, përfshirë tre kantierë dhe një konvikt studentor. Akuza lidhen me një seri abuzimesh në projekte urbanistike si ri-kualifikimi i kompleksit “Pirellino”, ku Boeri figuron si arkitekt përgjegjës.
Tre çështje të hapura ndaj Boerit në Milano
Ky nuk është rasti i vetëm që rëndon mbi të. Boeri ndodhet nën hetim në dy çështje të tjera penale në Milano, të gjitha të lidhura me projektet e urbanistikës publike:
Rasti “BEIC”: Biblioteka Europiane e Informacionit dhe Kulturës
Në korrik 2022, Boeri ishte pjesë e jurisë që shpalli fitues një projekt të propozuar nga ish-studentë dhe bashkëpunëtorë të tij akademikë e profesionalë. Prokuroria e akuzon për turbim të konkurrimit dhe deklarime të rreme, për shkak të konfliktit të interesit të pa-shpallur.

Provat e hetimit përfshijnë edhe komunikime të përgjuara që dëshmojnë, sipas hetuesve, “marrëveshje paraprake” për të favorizuar projektin fitues. Ndaj Boerit është vendosur ndalim për të marrë pjesë në komisione publike për një vit dhe ndalim për të firmosur kontrata me administratën publike.
Projekti “Bosconavigli”: betonizim pa leje
Në një tjetër hetim, që pritet të shkojë në gjyq në shtator, Boeri akuzohet për ndërtim të paligjshëm dhe lottizim abuziv në zonën San Cristoforo të Milanos. Projekti përfshin ngritjen e një kompleksi banimi me 90 apartamente mbi një tokë të paurbanizuar, pa plan të detajuar, pa miratime nga Këshilli Bashkiak dhe me një dëmtim të llogaritur prej mbi 5.5 milionë eurosh ndaj Komunës së Milanos, si pasojë e reduktimit të paligjshëm të tarifave të urbanizimit.

Së bashku me Boerin, janë të pandehur edhe zyrtarë komunalë, drejtorë teknikë dhe zhvillues privatë.
Prokuroria flet për një sistem të korruptuar
Hetimet mbi projektet e Boerit janë pjesë e një operacioni më të gjerë që po zhvillohet prej dy vitesh nga Prokuroria e Milanos. Deri më sot, janë hapur të paktën 10 hetime për abuzime urbanistike, janë bllokuar 150 projekte dhe janë sekuestruar dhjetëra kantierë.
Në raportet zyrtare, drejtësia italiane flet për një “sistem të tërë spekulimi ndërtimor, të mbështetur në manipulimin e rregullave, konfliktet e interesit dhe falsifikimet në dokumente”.
Çfarë do të thotë kjo për Tiranën?
Boeri nuk është thjesht një emër në Milano. Ai është edhe një figurë e padiskutueshme e modelit urban që po zbatohet në Tiranë nga qeveria “Rama”, që nga sheshi “Skënderbej” deri te projektet për kullat shumëkatëshe. Arkitekti italian ka qenë shpesh në krah të Ramës në konferenca ndërkombëtare dhe vizita publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në vizionin urban të kryeqytetit shqiptar.
Tashmë që Boeri është i përfshirë në hetime për korrupsion dhe abuzim në Itali, pyetja që lind është e thjeshtë: A kemi importuar vetëm estetiken e “Bosco Verticale”, apo edhe praktikat e tij më të errëta?
Boeri: Besoj në drejtësi
Arkitekti ka mohuar të gjitha akuzat. Për rastin BEIC ai ka deklaruar: “E kam mësuar nga mediat për kërkesën për gjykim. Kam besim të plotë në drejtësinë italiane.”
Ndërsa për Bosconavigli, Boeri është shprehur: “Jam i bindur se gjithçka do sqarohet dhe se kemi vepruar në përputhje me ligjin.”
Edhe kompania Milano 5.0 srl, që ka promovuar projektin, është shprehur se ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe ka ndjekur rregullat. /Përshtati “Pamfleti” nga “IlGiorno”
Lini një Përgjigje