
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, prurjet në lumin Vjosë u rritën. Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se lumi Vjosë po mbahet nën monitorim pasi rrezikon të dalë nga shtrati.
Kreu i Bashkisë së Fierit Armando Subashi ka pohuar se nga të dhënat e marra nga hidromatësi në Memaliaj, tashmë niveli i ujërave të Vjosës ka filluar të bjerë ndjeshëm.
Maksimumi i prurjeve është regjistruar rreth orës 14:30 në nivelin 7 që do të thotë se ai nivel prurjesh pritet të vijë rreth orës 19:00- 20:00 në fshatrat fundorë të njësive Levan dhe Novoselë. Por duke pasur parasysh përvojën e viteve të kaluara, ky nivel nuk përbën rrezik për daljen e lumit Vjosa nga shtrati.
Lajm i mirë është që niveli i ujërave të Vjosës ne zonën Tepelenë Memaliaj ka filluar të bjerë dhe krahasuar me mesditën rënia është rreth 70-80 cm, ç'ka do të thotë sipas Subashit që rreziku ka kaluar dhe orët e natës do të jenë orë të qeta dhe pa probleme.
Subashi ka pohuar gjithashtu se situata do të monitorohet dhe mjetet dhe forcat e emergjencës do të qëndrojnë në gatishmëri edhe për disa orë për çdo eventualitet të mundshëm.
Më herët, ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, mbërriti në urën e Mifolit, ku monitoroi nga afër situatën e prurjeve të lumit Vjosa.
Përveç strukturave të emergjencave civile dhe autoriteteve vendore, në Novoselë kanë mbërritur edhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, të kryesuar nga drejtori Elidon Çela.
Bashkë me grupin “Shqiponjat”, forcat e rendit po patrullojnë në terren për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Policia ka vendosur kontroll të shtuar përgjatë zonave me risk, veçanërisht pranë lumit dhe urës, ku niveli i ujit paraqet rrezik. Efektivët po u bëjnë thirrje banorëve të mos afrohen në këto pika të rrezikshme dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
Drejtori Çela ka deklaruar se prania e policisë ka për qëllim parandalimin e incidenteve dhe mbarëvajtjen e punës së ekipeve të emergjencave që po monitorojnë prurjet dhe argjinaturat.
Forcat e rendit do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, ndërsa situata në qarkun e Vlorës vijon të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet.
Lini një Përgjigje