TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2023, 17:54

Arrestimi i Sekretares së MSH, PD kërkon dorëheqjen e Manastirliut: Kishte dijeni për tenderin, SPAK të mos bëjë sikur nuk e di

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i Sekretares së MSH, PD kërkon dorëheqjen
Ogerta Manastirliu dhe Edi Rama

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Ogerta Manastirliut pas arrestimit të Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë. Përmes një deklarate, PD-ja zyrtare shprehet se kjo ministri është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe përgjegjësinë kryesore e ka ministrja. Për këtë arsye PD kërkon që ajo të hetohet nga SPAK.

Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. Arrestimi në flagrancë i zyrtares më të lartë publike të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.

3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumente zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak”, shprehet PD.

Sipas grupit parlamentar demokrat, sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. PD shprehet se Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj.

Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!  Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”, thekson PD.

Tenderi për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës çoi në pranga, me urdhër të SPAK, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialisten e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shtetën, një ditë më parë.

msh manastirliu korrupsion

Lini një Përgjigje