Aktualitet 8 Dhjetor 2023, 22:39

Nga bashkëpunimi me Mediun, te lidhjet me Celibashin dhe postet te Drejtësia, kush është Alba Thoma e akuzuar sot nga SPAK?

Shkruar nga Pamfleti

Nga bashkëpunimi me Mediun, te lidhjet me Celibashin dhe postet te

Prokuroria e Posaçme ka futur në listën e “arkitektëve” të inceneratorëve edhe Drejtoreshën Juridike të Ministrisë së Drejtësisë, Alba Thomën.

Në hetimet e tjera ajo u la jashtë, por sot rezulton mes 15 peronave nën akuzë për inceneratorin e Tiranës.

Por kush është Alba Thoma?

Alba Thoma e nisi karrierën, me mbështetjen e Edi Ramës në qershor 2004 kur ishte 22-vjeçe, si “Avokate e Qytetit të Tiranës”, ku qëndroi deri në gusht 2005 dhe iu bashkua pushtetit të PD.

Më 1 shkurt 2006, Fatmir Mediu që është edhe kunati i Ilirjan Celibashit, e mori në Ministrinë e Mbrojtjes zonjën Alba Thoma, gruan e vëllait të Ilirian Celibashit, të cilën e emëroi Shefe Juridike te kompania shtetërore e municioneve “MEICO”, ku qëndroi edhe 4 muaj pas Gërdecit.

Sipas dosjes hetimore të kësaj masakre me 26 viktima dhe 300 të plagosur, shefja juridike e “MEICO”, Alba Thoma, ka dhënë miratimin dhe ka hartuar kontratën e fabrikës së Gërdecit; por prokurorët nuk e futën në hetim, megjithëse gjetën shkresa e mesazhe me Mihal Delijorgjin, siç veproi SPAK me “e-mailet” për landfillet me Bllakon, Zoton e Mërtirin.

Alba Thoma, sipas hetimit të SPAK del se është përpiluesja e aktit që i hapi rrugë inceneratorit të Elbasanit. Thoma draftoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Elbasan, që vendoste të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore.

Nga komunikimet elektronike të Bllakos me Thomën hetuesit mësuan se kjo e fundit ka përpiluar dhe draft kontratën koncensionare, që Bllako ia dërgoi më pas shokëve të vet biznesmenë, Zoto dhe Mërtiri. Xhirimi e-maileve ndërmjet Thomës e Bllakos, ky i fundit me Mërtirin e Zoton, ka zbuluar dhe afera të tjera, emra të tjerë, kompani dhe aktivitete private që përlyejnë shtetin dhe biznesin me llum korrupsioni.

Të dhënat për Alba Thomën

– Një ditë pas largimit nga Ministria e Mbrojtjes për shkak të implikimit në aferën e Gërdecit, Alba Thoma filloi punë Shefe Juridike te një firmë private, ku qëndroi deri më 30 nëntor 2009.
– Më 06 maj 2010, Fatmir Mediu e emëroi kunatën e motrës në Ministrinë Mjedisit si Krye-specialiste e Drejtorisë Juridike, ku qëndroi deri më 5 maj 2013.
– Më 6 maj 2013, Edi Rama dhe Ilir Meta e emëruan Drejtoreshë Juridike, në Ministrinë e Mjedisit, në vartësinë e Lefter Kokës e Alqi Ballkos, ku qëndroi deri më 16 nëntor 2017,
– Më 17 nëntor 2017 e rikthyen në Ministrinë e Mbrojtjes, por në detyrën Drejtoreshë e Standardeve, ndërsa më 28 mars 2018 e emëruan Sekretare të Përgjithshme të kësaj Ministrie, ku qëndroi deri më 30 nëntor 2018.
– Më 1 dhjetor 2018, Edi Rama e emëroi Shefe të Zyrës Ndërministrore te Avokati i Shtetit, ku qëndroi deri në dhjetor 2020; dhe më pas Drejtoreshë të Çështjeve Ligjore e Anti-Korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa Ministria e Arsimit e ka emëruar edhe Kryetare Bordi te Universiteti Politeknik- Tiranë.