Aktualitet 8 Dhjetor 2023, 22:30

Nga nepotizmi te dëmet financiare/ Alba filmi, çerdhe e shkeljeve të ligjit

Shkruar nga Pamfleti

Nga nepotizmi te dëmet financiare/ Alba filmi, çerdhe e shkeljeve

Pak ditë më parë, kemi publikuar shkeljen flagrante të ligjit nga Albafilm, shoqëria e prodhimeve artistike në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Objektet e ndërtesave që u shembën si pasojë e ndërtimit të Parkut të Artit, lanë pas një sasi të konsiderueshme materialesh te riciklueshme. Ne baze te ligjit, këto materiale duhej të ishin inventarizuar, vlerësuar dhe me pas te ishin nxjerre ne ankand. Kjo bazuar ne udhëzimin nr. 30 te vitit 2011 te Ministrisë se Financave ne te cilin thuhet se ‘Aktivet që pas vlerësimit nxirren jashtë përdorimit, kur mund të përdoren si vjetërsira/mbeturina/materiale të riciklueshme, hiqen nga regjistri i aktiveve në përdorim, bëhen hyrje në magazinë dhe u shiten me ankand ndërmarrjeve që i grumbullojnë.’

Por në realitet kjo nuk ka ndodhur aspak.

Objektet e ndërtesave të mëparshme, nga ku u nxorën mbi 20 kapriate të Parkut të Madh, 11 dyer të blinduara të lëvizshme, tulla, tjegulla si dhe gjendje hekuri skrap nga garazhet e autoveturave u zhdukën pa lënë gjurmë.

Për këtë skandal të vjedhjes së aktiveve me vlera të konsiderueshme ne intervistuam juristen e Albafilmit, e cila na sqaroi se nuk është ngritur asnjë komision dhe nuk është mbajtur asnjë procesverbal për administrimin e materialeve te riciklueshme.

Kjo intervistë, ku juristja zbuloi të vërtetën e kësaj vjedhjeje ishte e fundit për të, sepse pak ditë më vonë ajo u shkarkua nga pozicioni i punës nga administratorja Gerta Ajazi

Zonja Ajazi mundohet të lajë duart nga kjo histori duke ia ngarkuar përgjegjësinë Ministrisë së Kulturës, por dokumenti i shkarkimit të juristes mban firmën e saj si titullare.

Por ky veprim arbitrar nuk është i vetmi i kësaj zonje, sepse administrata e Albafilmit është kthyer në një çerdhe të nepotizmit.  

Edhe pse në raportin e auditit të ministrisë është lënë porosi që të rishikohet rregullorja për punësimin e punonjësve nëpërmjet procedurave të konkurrimit.

Në listën shumë të gjatë të personave të emëruar pa asnjë kriter spikasin emra të lidhur ngushtë me drejtuesit e ministrisë dhe Albafilmit, por drejtoresha nuk jep asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Gjithsesi nuk është hera e parë që ajo i shmanget pyetjeve tona, pasi edhe për rastin e dëmit ekonomik që ka shkaktuar në Albpetrol, administratorja nuk pranon të prononcohet.

Shpresojmë që me modelin e saj të drejtimit të mos shkaktojë në shoqërinë Albafilm një tjetër gropë financiare, të ngjashme me atë të Albpretolit./ Piranjat