Kronike 8 Dhjetor 2023, 20:25

SPAK "mësyn" në Bashkinë e Tiranës, lëshon 15 urdhër-arreste për aferën me inceneratorin e Sharrës

Shkruar nga Pamfleti

SPAK "mësyn" në Bashkinë e Tiranës, lëshon 15

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 15 urdhër-arreste për aferën me inceneratorin e Tiranës.

Sipas informacioneve, janë fundosur disa vartës të Erion Veliajt, ku dy prej tyre janë Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu. Ata kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Tusha është Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.

Po ashtu SPAK ka bërë përgjegjës për këtë incenerator edhe Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, duke lëshuar urdhër të ri arresti për ta. Po ashtu, mësohet se është ngritur akuzë edhe ndaj Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos.  

Pak kohë më parë Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka firmosur vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.

Vendimi u mor më datë 28 korrik 2023 nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sipas SPAK ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

Gjithashtu sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 ... ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V””, informoi SPAK.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

"Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Holandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi", thuhet më tej.

SPAK gjithashtu zbulon dhe skemën si kanë përfituar afro 4 milionë euro Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, duke përdorur fatura të flasifikuara tatimore.

"Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se Klodian Zoto, në bashkëpunim me Mirel Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri",  thuhej në njoftimin e SPAK.

Në sekuestro janë vendosur dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë "Integrated Technology Services” sh.p.k.".