
Qeveritë në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë përdorur gjithnjë e më shumë teknologjinë për të shtypur kundërshtarët, për të kryer mbikëqyrje masive dhe të synuar dhe për të filtruar përmbajtjen dhe aksesin në platformat dixhitale.
“Teknologjitë e mbikëqyrjes biometrike dhe njohjes së fytyrës po zgjerohen me shpejtësi në të gjithë Ballkanin, duke ngritur shqetësime serioze për privatësinë dhe etikën, veçanërisht në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi”, vuri në dukje një raport i BIRN.
Raporti thotë se në të gjithë Ballkanin, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktivistët janë viktima të censurës, mbikëqyrjes dhe presionit ligjor në rritje nga qeveritë.
Kjo përfshin presionin ndaj gazetarëve të pavarur në Shqipëri, Republikën Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Në Shqipëri, projekti Smart City parashikon instalimin e 4,500 kamerave të sigurisë, duke përfshirë kamerat e Njohjes Automatike të Targave (ANPR) në të gjitha qytetet e mëdha.
“Ndërsa iniciativa premton të përmirësojë sigurinë në trafik, ajo ka ngjallur shqetësime në lidhje me mbrojtjen e të dhënave, transparencën dhe keqpërdorimin e informacionit të ndjeshëm”, vuri në dukje BIRN.
Në Kosovë, nuk ka censurë të qartë shtetërore, por përdoren mjete indirekte për të ndikuar në informacionin e medias, duke përfshirë kufizimin e aksesit të tyre në informacion dhe favorizimin e mediave të caktuara.
“Mbikëqyrja në Kosovë është e errët, me informacion të kufizuar mbi përfshirjen e sektorit privat ose përdorimin e të dhënave biometrike. Ligji autorizon mbikëqyrjen e komunikimeve dixhitale, me Kryeprokurorin e Shtetit dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) që mbikëqyrin aktivitetet e përgjimit. Përdorimi i përgjimit në kohë reale, gjurmimit të vendndodhjes dhe mbledhjes së të dhënave ngre shqetësime në lidhje me privatësinë dhe mbikëqyrjen”, thuhet në raport.
Në Mal të Zi, Ministria e Brendshme ka blerë fshehurazi një program biometrik për njohjen e fytyrës, Better Tomorroë, për ta përdorur atë në hapësirat publike në kryeqytetin Podgoricë dhe qytetet e Tivarit dhe Budvës.
Agjencia e Mbrojtjes së të Dhënave Personale (AZLP) e vendit ka urdhëruar çaktivizimin e softuerit të njohjes së fytyrës, por përdorimi i tij ka ngritur shqetësime për mungesën e transparencës së institucioneve.
Në Serbi, ka një polemikë në lidhje me miratimin e teknologjive biometrike të njohjes së fytyrës në hapësirat publike, pasi vendi nuk ka një kuadër ligjor për këtë.
Pavarësisht kësaj, autoritetet kanë instaluar kamera të shumta me teknologjinë e njohjes së fytyrës në hapësirat publike, mes kundërshtimit nga shoqëria civile.
“Rrjeti i gjerë i mbikëqyrjes së Serbisë, i cili përfshin mjete për mbledhjen masive të të dhënave, të tilla si monitorimi i mediave sociale dhe gjurmimi i telefonave, është lidhur me shënjestrimin e opozitës politike, gazetarëve dhe aktivistëve”, thuhet në raport.
Sipas raportit, në tetor 2024, dy anëtarë të sektorit civil në Serbi morën një paralajmërim nga Apple se telefonat e tyre ishin objektiva të mundshme të sulmeve spiune. Sipas hetimit të Amnesty International, sulmet e mundshme erdhën nga pajisje që përdorin teknikën Pegasus, të shitura ekskluzivisht qeverive.
“Kjo sugjeron fuqimisht se qeveria serbe ose aktorë të lidhur me shtetin ishin pas këtyre sulmeve kibernetike”, thuhet në raport.
Lini një Përgjigje