TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Maj 2025, 21:19

Operacioni “Ura”/ GJKKO lë në burg 11 të arrestuarit, lirohet avokati Armand Tragaj dhe dy të tjerë!

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni “Ura”/ GJKKO lë në burg 11 të arrestuarit,

Gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat arrest në burg për 11 të dyshuarit, ndërsa avokatit Armand Tragajt së bashku me dy të tjerëve iu ndryshua masa në “detyrim paraqitje.

Pas mega-operacionit antidrogë “URA”, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, gjykata ka vendosur masat e sigurisë për 52 të dyshuar të përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ndër personat e ndaluar ishte edhe Armand Tragaj, avokat në Durrës dhe ish-sekretar i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti. Për të dhe dy të tjerë, gjykata ka vendosur masën e detyrimit për t’u paraqitur, ndërsa 11 persona të tjerë janë lënë në burg. 

Tragaj kërkoi ndryshim të masës para Gjykatës së Posaçme, me argumentin se vijimi i masës së sigurisë do të rëndonte situatën e tij familjare.

Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me dy prindër të sëmurë, njerkën të paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijën e vogël. Dhe për këtë fakt kërkoj të jem pranë familjes”, deklaroi ai para GJKKO-së.

Së bashku me avokatin u liruan nga burgu edhe dy persona të tjerë të arrestuar Bexhet Mema dhe Ervis Deti.

Të arrestuarit që do të përballen me masën e arrestit me burg janë: Orgest Molla, Altin Morina, Akil Ndrejaku, Musa Koça, Rando Aliu, Sokol Isteri Tatani, Ligor Çombashi, Altin Pjetri, Ervin Zeqiri, Gezim Thartori, Alfred Hysa.

Kujtojmë se operacioni i përbashkët “Ura” i cili u zhvillua mes Shqipërisë dhe Italisë çoi në goditjen e një grupi të fuqishëm kriminal me bazë në Durrës. Ajo që ka ndihmuar autoritetet ta zbërthejnë në detaje ka qenë përveç përgjimeve të ndryshme audio e ambientale edhe mesazhet e dekriptuara nga platforma Sky ECC.

Bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha, ku vetëm njëra prej tyre ishte me 250 kilogramë kokainë dhe heroinë të pastër. Në të njëjtat biseda është zbuluar edhe “rrjedhja” e parave nga Puglia drejt Shqipërisë. Janë pagesa që bëheshin nga shoferët e autobusëve ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të DIA-s janë kapur shuma prej 4.5 milionë Eurosh.

Autoritet kanë zbuluar nëpërmjet bisedave të përgjuara dërgesat e parave për të paguar drogën, të cilat janë zhvilluar në Bari për 500 mijë Euro. Këto grupe kanë qenë subjekt i goditjeve të drejtësisë edhe më parë. Për shembull, janë sekuestruar 3 milionë euro cash në Durrës, 30 kilogramë heroinë dhe disa laboratorë në Bari, 2 tonë kokainë në Roterdam, 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro dhe 400 kilogramë hashash në Bari.

Lini një Përgjigje