
Analisti Mustafa Nano nuk i sheh si test të raportit të qytetarëve me politikën zgjedhjet lokale të mbajtura sot në 5 bashki të vendit.
Në një analizë në studion e MCN, Nano u ndal në tre faktorë që sipas tij mund të kenë ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në votim.
“Nuk besoj se ka pritur njeri pjesëmarrje të madhe. Së pari nuk kishte klimë elektorale. Liderët e partive nuk kanë qenë në fushatë. Rama ka qenë në punën e vet si kryeministër, Berisha ka qenë në seli. Në thelb nuk ka pasur një fushatë elektorale. Janë përpjekur kandidatët, por as mediat nuk janë marrë shumë me fushatën. Pastaj ka një klimë në momentin që PD e dorëzoi të drejtën e kandidimit. Kjo mund të ketë dekurajuar votuesit e opozitës. Socialistët mirë, keq, në shi apo në diell, dalin. Mund të ketë ndikuar edhe dita, njerëzit kanë preferuar të rrinë në shtëpi”, tha ai.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te Bashkia e Vlorës, ku votuan vetëm 12,84% e qytetarëve me të drejtë vote, Nano tha se kjo shifër nuk ka pse të jetë surprizë.
“Vlora është një dukuri për t’u analizuar. Nuk bën pjesë te bashkitë me votues fanatikë. Sot ajo ka dy herë më pak se në zgjedhjet e kaluara. Mund të jetë edhe në ADN e vlonjatëve që për zgjedhjet nuk e çajnë kokën. Ndoshta e kanë si karakteristikë të tyre që nuk i japin rëndësi ditës së zgjedhjeve. Nuk na kanë befasuar këtë herë. Kanë qenë pothuajse përherë në fund të klasifikimit për pjesëmarrje. Mbase ka ndikuar edhe fakti që demokratët atje janë të përçarë. Ka një lloj çorganizimi që mund të ketë ndikuar”, tha Nano.
Sa u përket kandidatëve, Nano tha se ka një prirje të partive për të zgjedhur njerëz me profil të ulët.
“Nuk e di pse partitë politike vitet e fundit kanë preferuar të luajnë me personazhe me profil të ulët. Nuk e di pse injorojnë figurat publike me kontribute. Kjo ndodh për shkak të faktit që partitë politike janë të bindura të bëjnë ç’të duan sepse nuk ka ndjeshmëri. Nuk është ngjarja e duhur elektorale për të folur për një test”, vijoi ai.
Lini një Përgjigje