Në Gjykatën Kushtetuese është hedhur sot shorti për padinë e depozituar nga PD për ministren “Diella” .
Mësohet se çështja i ka rënë si relatorë gjyqtares Marjana Semini.
Dy ditë më parë, opozita depozitoi në Kushtetuese dekreti presidencial që i hapi rrugë ministres së parë virtuale.
PD ka depozituar në Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të ndryshimeve të njëanshme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit.
Gjithashtu, në një padi të dytë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës shfuqizimin, si antikushtetues, të dekretit të Presidentit për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”.
Kujtojmë se ndryshimet në komisione u njoftuan nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS, ku tha se nga 11 në total, 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe katër nga opozita. Ndërkohë u votuan në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro të deputetëve socialistë.
Dërgimi në Kushtetuese i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit ishte paralajmëruar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kishte deklaruar se është shkelur libri themeltar i shtetit, pasi projektligji u kalua me procedurë të përshpejtuar 1-ditore.
Sipas Kushtetutës, procedura e përshpejtuar përcakton minimalisht 7-ditë kohë për shqyrtim.
Lini një Përgjigje