TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2026, 20:06

Protesta para Kryeministrisë vijon me thirrjet kundër qeverisë: Mos u ktheni në Zvërnec, problemi është në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Protesta para Kryeministrisë vijon me thirrjet kundër qeverisë:
Pamje nga protesta

Vijon tubimi para Kryeministrisë...

Protesta kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama po vijon përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë mbajtur fjalime me tone të forta politike, duke insistuar se lëvizja tashmë ka kaluar përtej kundërshtimit të një projekti të vetëm.

Një prej protestuesve deklaroi se në Zvërnec është hequr gardhi i vendosur ditët e fundit, duke pretenduar se kjo po bëhet për të larguar vëmendjen nga protesta në Tiranë dhe për t'i rikthyer qytetarët në terren.

Kanë hequr gardhin në Zvërnec që ne të ikim andej. Mos shkoni atje. Problemi nuk është atje. Problemi është këtu”, tha ai, duke treguar me gisht drejt godinës së Kryeministrisë dhe duke marrë duartrokitjet e protestuesve.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte dalja në podium e Iljonit, një nxënëse të klasës së tretë, e cila përcolli një mesazh të shkurtër për mbrojtjen e natyrës dhe hapësirave publike.

Quhem Iljon, jam në klasën e tretë. Ne i duam parqet, lodrat, natyrën. Mbrojini për ne. Dorëhiqu, dorëhiqu, dorëhiqu”, tha vogëlushja, ndërsa turma iu përgjigj me duartrokitje dhe brohoritje.

Gjatë protestës u regjistrua edhe një moment simbolik, kur një protestuese u shkëput nga turma dhe tentoi të afrohej drejt hyrjes së Kryeministrisë. E shoqëruar nga forcat e policisë, ajo ngriti duart duke formuar simbolin e shqiponjës, ndërsa protestuesit reaguan me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.

Protesta para Kryeministrisë vijon me thirrjet kundër qeverisë:

Mesazhet e protestuesve janë fokusuar kryesisht te nevoja për ndryshim politik dhe përfshirjen e të rinjve në jetën publike. Një qytetar nga Rrjolli u bëri thirrje të rinjve të marrin përgjegjësi për të ardhmen e vendit.

Shqipëria ka nevojë për rini. Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin”, tha ai.

Ndërsa protesta po vijon para Kryeministrisë, vihet re se fokusi i saj është zgjeruar ndjeshëm krahasuar me ditët e para. Nëse fillimisht kundërshtimi ishte i përqendruar te projekti në Zvërnec, sot dominuan thirrjet kundër qeverisë, kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kritikat ndaj gjithë klasës politike. Protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.



protesta zvernec

Lini një Përgjigje