
Protestuesit kanë ashpërsuar thirrjet e tyre në ditën e 16-të të tubimit para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur sërish për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Gjatë fjalimeve të mbajtura në podiumin e improvizuar, një prej protestuesve propozoi përshkallëzimin e aksionit qytetar përmes rrethimit paqësor të institucioneve kryesore të vendit, duke theksuar se çdo veprim duhet të zhvillohet pa përplasje me forcat e rendit.
“Të rrethojmë parlamentin dhe kryeministrinë në mënyrë paqësore. Pa u përplasur me policinë se janë vëllezërit tanë”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi i kërkoi kryeministrit Rama të largohet nga detyra për të shmangur tensione të mëtejshme.
“Rama të tregohet i zgjuar. Të japë dorëheqjen dhe të mos provokojë popullin shqiptar”, u shpreh ai.
Qytetari nuk kurseu kritikat as ndaj liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i konsideruar të dy figurat politike përgjegjëse për gjendjen e vendit.
“Duhet qeveri e pastër. Rama në burg, Berisha në burg. Janë që të dy tradhtarë”, tha protestuesi.
Ai akuzoi gjithashtu klasën politike të tranzicionit për privatizime dhe vendime që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e qytetarëve ndër vite.
"Të rrethojmë parlament dhe kryeministrinë në mënyrë paqësore. Pa u përplasur me policinë se janë vëllezërit tanë. Rama të tregohet i zgjuar. Të japë dorëheqjen dhe të mos provokojë popullin shqiptar. Se po e kapi ky popull do e zvarrisi deri te sheshi Skënderbej. Nuk ka zgjidhje tjetër, është fundërrina e komunizmit. Duhet qeveri e pastër. Rama në burg, Berisha në burg. Janë që të dy tradhtarë. Berisha na shiti hidrocentralet, na shiti shkollat, spitalet, i bëri private. Rama na shiti tokat, që na i dhanë me gjak", u shpreh protestuesi në fjalën e tij të plotë.
Protesta para Kryeministrisë vijon prej 16 ditësh radhazi, ndërsa qytetarët po shfrytëzojnë podiumin për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend.
Lini një Përgjigje