
Një ish-minator i minierës së Valiasit ka marrë fjalën para Kryeministrisë gjatë protestës së ditës së 16-të. Ai u ka bërë thirrje prindërve të të rinjve që t'u bashkohen fëmijëve të tyre në shesh, ashtu siç ndodhi gjatë lëvizjeve demokratike të 35 viteve më parë.
Në fjalimin e tij, ish-minatori kujtoi angazhimin e qytetarëve në fillimet e pluralizmit dhe theksoi se edhe sot kërkohet i njëjti solidaritet përballë problemeve që vijojnë të prekin vendin.
“Kam 35 vite që zvaritem në këtë shesh. Nga ky podium u bëj thirrje prindërve të të rinjve që t’ju bashkohen fëmijëve si prindërit tanë para 35 vitesh. Zullumqarët janë fëlliqësirat e vendit tonë, na kanë vjedhur e po na vjedhin. E kanë marrë Shqipërinë me 1 euro, por ne nuk do të lejojmë të na i bëjnë copa copa zullumqarët”, tha ai.
Ish-minatori e përqendroi mesazhin e tij te nevoja për reagim qytetar dhe pjesëmarrje më të gjerë në protestë, duke argumentuar se e ardhmja e vendit nuk mund t'u lihet në dorë politikanëve që, sipas tij, kanë dështuar ndër vite.
Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa tubimi vijoi me mesazhe të tjera nga qytetarë që ndanë shqetësimet e tyre për situatën në vend.
Lini një Përgjigje