TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 00:55

Protestuesit mbërrijnë te mbikalimi i Rinasit, kufizohet lëvizja drejt aeroportit

Shkruar nga Pamfleti

Protestuesit mbërrijnë te mbikalimi i Rinasit, kufizohet lëvizja

Marshimi i protestuesve ka vijuar edhe në orët e mbrëmjes, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbërritur në zonën e mbikalimit të Rinasit, duke sjellë bllokime dhe vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve drejt Aeroportit Ndërkombëtar.

Pas nisjes së protestës përpara Kryeministrisë dhe marshimit nëpër disa nga rrugët kryesore të Tiranës, turma ka vijuar itinerarin drejt autostradës Tiranë-Durrës, ku prej disa orësh njëri krah i rrugës ka qenë i bllokuar nga protestuesit.

Me mbërritjen në mbikalimin e Rinasit, lëvizja është ngadalësuar edhe më tej. Protestuesit ecin në grup, ndalojnë herë pas here dhe në disa momente ulen në asfalt, duke bllokuar plotësisht kalimin e mjeteve dhe duke krijuar radhë të gjata automjetesh.

Si pasojë e situatës, janë regjistruar pengesa edhe për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në drejtim të aeroportit, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në trafik për një kohë të gjatë.

Gjatë gjithë marshimit kanë vijuar edhe thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. "Rama jepe dorëheqjen", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Revolucion" janë disa prej sloganëve që janë dëgjuar vazhdimisht nga turma.

Marshimi, që ka zgjatur për disa orë, vijon të mbetet dinamik, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar se ku do të ndalet protesta apo sa do të zgjasë bllokimi i akseve rrugore.

Ndërkohë, efektivët e Policisë ndodhen në terren për të monitoruar situatën dhe për të menaxhuar qarkullimin, ndërsa drejtuesit e automjeteve që kanë destinacion Aeroportin e Rinasit këshillohen të marrin në konsideratë vonesat e mundshme dhe të planifikojnë lëvizjen me kohë shtesë.

Lini një Përgjigje