TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Janar 2026, 21:24

PS “fut duart” te ligjet e reformës, krerët e gjykatave duhet të lënë detyrën në vitin 2028

Shkruar nga Pamfleti
PS “fut duart” te ligjet e reformës, krerët e gjykatave
Xhafaj sot në komision

Partia Socialiste ka nisur të prekë ligjet themelore të reformës në drejtësi, me një seri ndryshimesh që zhbëjnë gradualisht balancat institucionale të ndërtuara pas vitit 2016.

Me votat vetëm të mazhorancës, dhe në mungesë totale të opozitës, komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ka miratuar në parim dy projektligje të rëndësishme që prekin mënyrën e zgjedhjes dhe qëndrimit në detyrë të drejtuesve të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit.

Ndryshimi më i debatueshëm është zgjatja automatike e qëndrimit në detyrë të drejtuesve aktualë të gjykatave deri në fund të vitit 2028, në rast se nuk zgjidhen pasardhësit. Kjo nismë, e mbështetur nga deputeti i PS-së dhe ish-vettingas Olsi Komici, argumentohet si një zgjidhje për të shmangur boshllëqet institucionale, por në të vërtetë i hap rrugën drejtuesve të përjetshëm dhe kontrollit të zgjatur të mazhorancës mbi drejtësinë.

Kundërshtimi ka ardhur menjëherë nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, që e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një cenim të rëndë të kompetencave të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), institucioni që sipas ligjit ka të drejtën ekskluzive për të përcaktuar rregullat e përzgjedhjes së drejtuesve të gjykatave.

Megjithatë, Fatmir Xhafaj, arkitekti i reformës dhe njeriu që u rikthye për të ndërhyrë te ky proces, nuk u tërhoq nga ndryshimet. Ai u justifikua se propozimet janë miratuar edhe nga Komisioni Evropian, duke shtuar se nuk prekin thelbin e ligjeve, por “përmirësojnë mirëfunksionimin e tyre”. Por pikërisht ky lloj “përmirësimi”, ku afatet dhe emërimet mbahen pezull me vite, është ajo që ngre dyshime për kapje politike të sistemit gjyqësor, përmes drejtuesve të emëruar prej vitesh në pozita kyçe.

Projektligji i miratuar tashmë nga komisioni i Xhafajt do të kalojë për shqyrtim edhe në Komisionin e Ligjeve të drejtuar nga Ulsi Manja, përpara se të shkojë në votim në seancë plenare.

xhafaj reforma ne drejtesi

Lini një Përgjigje