
Vargu i mjeteve është i pandërprerë për rreth 15 kilometra...
Bllokimi i segmentit të autostradës Vorë-Maminas, në të cilën po kryhen punime, ka shkaktuar kaos në aksin dytësor, me trafikun që ka shkuar disa kilometra.
Aktualisht nga kryqëzimi i Budullës deri në Maminas, vargu i mjeteve është i pandërprerë për rreth 15 kilometra, duke krijuar vonesa të shumta te udhëtarët.
Ndërkohë që policia ka pranuar se mbyllja e autostradës ka shkakuar trafik kilometrik, u bën apel qytetarëve të cilët prej orësh presin në trafik, që të tregojnë durim.
"Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.
Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje", njofton policia.

Kujtojmë se në aksin Vorë-Ura e Dajlanit po kryhen punime për riparimin e rrugës. ARRSH njoftoi pak ditë më parë se punimet do të zgjasin 1-2 ditë, për secilin segment që bllokohet.

Rruga po riparohet, fillimisht në segmentin nga Vora në Maminas. Punimet do të vijojnë në segmentin nga Maminasi në Sukth më pas nga Sukthi në Fllakë, nga Fllaka në mbikalimin e Shkozetit dhe nga mbikalimi i Shkozetit tek Ura e Daj Lanit. Për këtë arsye do të ketë mbyllje të pjesshme të rrugës për qarkullimin e automjeteve.
Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit-Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje.
Lini një Përgjigje