TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 17:16

Qeveria rishikon Buxhetin; shtohen 20 mld lekë për pensionet, shëndetësinë dhe mbrojtjen!

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria rishikon Buxhetin; shtohen 20 mld lekë për pensionet,

Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për rishikimin e parë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026, duke shtuar 20.1 miliardë lekë në të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara, pa ndryshuar nivelin e deficitit buxhetor. Sipas qeverisë, rishikimi mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave gjatë pesë mujorit të parë të vitit, çka ka krijuar hapësirë për financimin e prioriteteve të reja, pa cenuar objektivat e konsolidimit fiskal.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se një nga ndryshimet kryesore është përshpejtimi i indeksimit të pensioneve. Në vend që rritja të hynte në fuqi më 1 tetor, pensionet do të indeksohen nga 1 korriku 2026. Për këtë është vënë në dispozicion një fond prej 872 milionë lekësh, që mbulon efektin financiar të indeksimit me 2.7%. Malaj njoftoi gjithashtu se, duke nisur nga viti i ardhshëm, indeksimi i pensioneve pritet të kryhet në muajin prill.

Rishikimi i buxhetit parashikon gjithashtu dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga e cila do të përfitojnë mbi 10 mijë fëmijë. Për këtë masë janë akorduar 750 milionë lekë, ndërsa 674 milionë lekë të tjera do të përdoren për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.

Sektori i shëndetësisë përfiton rreth 4.5 miliardë lekë shtesë. Paketa financiare përfshin 1.5 miliardë lekë për furnizimin me barna onkologjike, 150 milionë lekë për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore, si dhe 700 milionë lekë për pajisje të reja spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale të shëndetësisë.

Një tjetër përfitues i madh është Ministria e Mbrojtjes, e cila merr 10.3 miliardë lekë shtesë për investime dhe shpenzime operative, si dhe për shtimin e 300 efektivëve në Forcat e Armatosura. Sipas qeverisë, me këtë financim buxheti i mbrojtjes arrin në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përmbushur objektivat e NATO-s.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit përfiton rreth 750 milionë lekë shtesë për financimin e arsimit bazë, teksteve falas dhe investimeve në shkolla e universitete, ndërsa Ministrisë së Brendshme i shtohen 664 milionë lekë për Policinë e Shtetit, Gjendjen Civile dhe shërbime të tjera.

Mbështetje shtesë parashikohet edhe për biznesin dhe bujqësinë. Garancia sovrane rritet nga 3 në 5 miliardë lekë dhe do të zgjerohet përtej sektorit bujqësor, duke mbështetur edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Ministrisë së Ekonomisë i shtohen rreth 1.6 miliardë lekë, ku përfshihen fonde për skemën "Start-Up Albania", programin "Dyfisho Biznesin Tënd" dhe krijimin e një shoqërie shtetërore për administrimin e ndërmarrjeve në likuidim.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve shtesë do të shkojë edhe për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili përfiton 6.5 miliardë lekë nga buxheti dhe 1 miliard lekë nga financimet e huaja. Këto fonde do të përdoren për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive, autobusëve për bashkitë dhe financimin e projekteve me ritëm të lartë realizimi.

Me ndryshimet e miratuara, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arrijnë në 843.1 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet rriten me të njëjtën shumë, duke e lënë deficitin buxhetor të pandryshuar në 63.7 miliardë lekë. Qeveria thekson se synon të vijojë uljen graduale të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me rregullat fiskale të parashikuara në Ligjin Organik të Buxhetit.

kuvendi 20 mld

Lini një Përgjigje