
Sot, kompania “Kontakt” ka njoftuar në rrjetet e saj sociale se do të nisë puna për kompleksin “Nokia”...
Shahen, anatemohen dhe çfarë nuk i thonë njëri-tjetrit në publik, por në prapaskenë luhet një valle shumë e madhe. E kemi fjalën për Edi Ramën dhe Sali Berishën, të cilët janë shpallur “armiq” të betuar, por në fakt njerëzit e afërt me ta po bëjnë miliona.
Rasti më flagrant është i ndërtuesit Fatmir Bektashi, i cili është me dy dosje në SPAK dhe njihet për lidhjet e forta me dhëndrin e Berishës, por vijon të shpërblehet nga qeveria “Rama”.
Pasi emri i tij doli te dosja “Partizani”, si për ironi, kompania e tij “Kontakt” ka lançuar shumë projekte të tjera ndërtimore, padyshim me bekimin e qeverisë. Fillimisht u shpall projekti i ri “Kaimi”, më pas projekti "Kadiu”, ku pallatet janë drejt fundit. Gjithashtu, Bektashi shtriu tentakulat në Drilon, ndërkohë që javë më parë u bë e ditur se do të nisë ndërtimi i 800 apartamenteve në Farkë.
Por duket se nuk do të ndalet me kaq ortaku i familjes Berisha, pasi ka marrë bekimin për të ndërtuar një tjetër kompleks pallatesh në periferi të Tiranës, te zona që njihet si “Depoja e ujit”, sipër kompleksit “Kadiu”. Plani për të ndërtuar aty është lançuar që një vit më parë, por duket se tani janë qepur letrat.

Sot, kompania “Kontakt” ka njoftuar në rrjetet e saj sociale se do të nisë puna për kompleksin “Nokia”. Sipas burimeve të “Pamfletit”, Bektashi ka mbyllur pazaret me pronarët e tokës dhe është bërë rrethimi i saj, ndërkohë që nuk është detajuar i plotë plani arkitektonik.
Skandali nuk është pse Fatmir Bektashi ndërton, por te fakti që nis të shesë pa marrë akoma leje. Kjo praktikë është ndjekur prej vitesh nga “Kontakt”, qoftë për Pyllin e Drilonit, projektin në Farkë dhe tani “Nokia”. Kompania bën thjesht aplikim për leje ndërtimi dhe nis shitjet. Që do të thotë se letrat janë qepur me kohë dhe dihet që leja do të aprovohet.
Kjo tregon se rivaliteti Rama-Berisha nuk është dhe aq real, pasi një prej njerëzve më të afërt të dhëndrit, ku kanë qenë ortakë në disa kompani, vijon e merr leje ndërtimi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje