
Ndryshimi i motit ka përfshirë sot të gjithë vendin, duke sjellë reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta. Në Elbasan, era e fortë ka rrëzuar disa pemë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në rrugën “Janaq Kilica”. Ekipet e bashkisë ndërhynë për pastrimin e akseve dhe rikthimin e lëvizjes.
Situatë problematike është shënuar edhe në Gramsh, ku reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje të pjesshme në disa segmente rrugore. Uji ka bllokuar përkohësisht qarkullimin, ndërsa banorët raportojnë për rënie të fortë breshëri gjatë natës dhe paradites së sotme.
Sipas të dhënave paraprake, fenomeni ka prekur edhe disa zona malore të bashkive Librazhd dhe Prrenjas, ku reshjet e breshërit kanë qenë të dendura por me kohëzgjatje të shkurtër. Deri në orët e pasdites, autoritetet lokale nuk kanë raportuar për dëme materiale apo në bujqësi, por situata mbetet në monitorim për shkak të parashikimeve për reshje të tjera gjatë mbrëmjes.
Lini një Përgjigje