
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar atentatin e ndodhur sot ndaj Julian Sulës, i njohur në botën e krimit si Juli i Pashakos.
Sula mbeti i plagosur, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje historinë e gjatë të përplasjeve që kanë prekur Lushnjën dhe figurat kryesore të saj.
Sipas Hoxhës, Sula prej vitesh kishte qëndruar jashtë Shqipërisë, kryesisht në Dubai, për shkak të situatës së tensionuar që ishte krijuar në Lushnjë pas goditjes së grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu. Pas arrestimit të Laertit në Greqi dhe ekstradimit të tij në Shqipëri, si dhe goditjes së bashkëpunëtorëve të tjerë të rëndësishëm, struktura që kishte dominuar zonën për afro një dekadë u shkatërrua.
Kjo, sipas gazetarit, e la Sulën si emrin më të ekspozuar në territor, pavarësisht se ai kishte ruajtur lidhjet e veta dhe njerëzit e tij. Për vite me radhë, Lushnja ishte tronditur nga përplasjet mes grupeve kriminale, duke krijuar tensione që ngjanin me situatat e pas ’97-ës.
Hoxha shpjegon te "Euronews Albania" se atentati i sotëm nuk duhet parë si incident i izoluar, por si pjesë e një historie të gjatë rivalitetesh, zhvendosjesh të pushtetit në terren dhe përpjekjesh për të riformatuar strukturat kriminale pas rënies së grupit të Haxhiut.
Artan Hoxha: Julian Sula, i njohur edhe si Juli Pashaku, vitet e fundit ka qëndruar kryesisht në Dubai dhe jashtë Shqipërisë. Largimi i tij lidhet me zhvillimet e ngjarjeve të rënda që ndodhën në Lushnjë nga periudha e pandemisë e më pas, kur u godit grupi i njohur i Laert Haxhiut, një strukturë tepër aktive dhe e dhunshme, që për gati një dekadë shkaktoi panik dhe pasiguri në qytet.
Edhe pse mes Sulas dhe grupit të Haxhiut kishte pasur një distancim drejt fundit, pas neutralizimit të Laertit ai dukej sikur kishte mbetur i vetëm në territorin e Lushnjës. Laert Haxhiu u kap fillimisht në Greqi dhe më pas u ekstradua në Shqipëri. Arrestimi i anëtarëve të tjerë të rëndësishëm, si Anterio Kaloshi në Tiranë dhe Orges Bilbili në Pogradec, goditi fort strukturën që kishte vepruar për shumë vite dhe kishte marrë jetë njerëzish, duke krijuar një klimë frike në një nga qytetet më të qeta dhe punëtore të vendit.
Situata në Lushnjë solli një rikthim të ndjenjës së pasigurisë që qyteti kishte përjetuar vetëm në periudhën pas ’97-ës, kur vepronte e ashtuquajtura Banda e Lushnjës e drejtuar nga Aldo Bare. Edhe pse shpesh flitej për “rivalitet” mes grupeve të sotme dhe strukturave të vjetra, në realitet nuk kishte përplasje direkte, përfshirja ishte më shumë e lidhur me familjarë apo persona të afërt, pasi banda e dikurshme ishte de facto shpërbërë prej kohësh.
Pjesa kryesore e ish-anëtarëve të saj ndodhet ende në burg me dënime të rënda, gjë që tregon se nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga sistemi gjyqësor në mënyrën që kanë bërë organizata të tjera. Në kohën e aktivitetit, kjo strukturë ishte e fuqishme dhe e ashpër, por disa nga bashkëpunëtorët e drejtësisë dolën pikërisht nga radhët e saj, çka çoi në goditjen e brendshme të grupit.
Në këtë realitet, pas rënies së Laert Haxhiut dhe rrjetit të tij, dukej sikur Julian Sula kishte mbetur figura më e dukshme e zonës, megjithëse ai ruante ende njerëzit dhe ndikimin e vet.
Dukej sikur ai po i mbijetonte zhvillimeve në qytetin e Lushnjës dhe qëndrimi i tij larg për një farë kohe dukej sikur bëri që të harrohej prezenca e tij. Por në fakt ata që e kanë patur objektiv, duke parë që ai nuk e ka më në mbrojtjen dhe imunitetin që kishte më përpara, pra nuk i ka më as aleatët dhe as mbështetjet që ata kanë patur, sepse fuqia më e madhe buronte nga mbështetjet që ata kishin në radhët e strukturave të policisë. Pra, aksionet e policisë dështonin sa herë. Pra, RENEA dështonte sepse ata ishin njoftuar në kohë dhe ishte gjithmonë një hap mbrapa. Në rastin konkret, pra kur këto elementë lëvizën dhe nuk e kishte më këtë mbrojtje dhe avantazhin e të kaluarën, ai u bë objekt i rivalëve. Fakti që po lëvizte me makinë të blinduar.
Lini një Përgjigje