
Shefi i Shërbimit Toksikologjik në QSUT, mjeku Andrin Tahiri, duke komentuar shifrat në rritje të përdoruesve të drogës u shpreh se nuk ka mungesa në staf edhe pse ata janë në shërbim të të gjithë vendit, por se ka mungesa në shtretër për pacientët.
Duke folur në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, mjeku Tahiri u shpreh se është shqetësues fakti se adoleshentët e sotëm e kanë kthyer në trend përdorimin e drogës.
“Ai që vjen dhe kërkon ndihmë mjekësore është ose i rritur dhe e kupton që ka hyrë në një rreth vicioz, ose për adoleshentët vijnë familjarët, që shohin se diçka nuk shkon në sjelljet e fëmijës dhe fillojnë e mungojnë gjërat rreth e për qark, sepse ka buxhet. Një minoren nuk ka buxhet që të mbyllë shpenzimet e veta.
Ne jemi një shërbim unik kombëtar pra mbajmë gjithë Shqipërinë dhe nuk është gjë e vogël. Burimet njerëzore janë, staf ka, por kemi nevojë për më shumë shtretër, që të japim asistencë spitalore. Si mjek mua me shqetëson realiteti i sotëm i adoleshentëve që përdorimin e drogës kanë filluar ta kthejnë në një trend të tyrin”, tha Tahiri.