Aktualitet18 Shkurt 2024, 15:59

Rrjetet sociale burim tragjedish, Balla thirrje qytetarëve: Denonconi, mos bini pre e shantazheve!

Shkruar nga Pamfleti

Rrjetet sociale burim tragjedish, Balla thirrje qytetarëve: Denonconi, mos

Rrjetet sociale janë kthyer në një 'fatkeqësi' për njerëzit e grupmoshave të ndryshme duke shkaktuar tek ata dhunë (psikologjike dhe fizike), bullizëm dhe duke çuar deri në humbje jete...

Nuk janë të pakta rastet e dhunës, sherreve si dhe të vetëvrasjeve të personave të ndryshëm duke u shantazhuar nga 'miqtë' virtualë; siç janë publikimi i fotove, hapja e adresave false dhe presioni për favore seksuale. Rasti më i freskët ishte  kur një i ri, i identifikuar si Benard Çullhaj u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga një e mitur 15-vjeçare, pasi i kishte hapur profile false në rrjete sociale dhe e shantazhonte për t'i dërguar foto/video intime. Gjithashtu, 27-vjeçari i kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për arrestimin e 27 vjeçarit Benard Çullhaj i cili shantazhonte dhe kërcënonte vajzat e mitura në Tiranë nëpërmjet rrjeteve sociale.

Balla shkruan se po punohet për të bërë ndryshime ligjore kundër dhunës online ndërkohë që kompanitë rrjetet sociale po shtojnë filtrat e ndalimit të gjuhës fyese dhe denigruese.

Mes të tjerash, ministri u bën thirrje të gjithë personave që përballen me gjuhë fyese apo shantazh online, të denoncojnë rastin në polici.

“Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Policia e Shtetit përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve KibernetikeTiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë identifikuar një tjetër rast shantazhi në rrjetet sociale me rrezikshmëri ndaj një minoreneje. Po bashkëpunojmë me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve tona në përballjen me këtë formë kriminaliteti. Policia e Shtetit po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese, është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale, për të na dhënë mundësinë e reagimit në kohë. Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncur dhe jo të bini pre e shantazhit! Paralelisht po punojmë për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe”, shkruan Balla.



rrjete sociale tragjedi burim balla qytetarë