Aktualitet24 Qershor 2024, 15:43

Saimir Tahiri del nga SPAK, ish-ministri 2 orë e gjysmë në pyetje nga prokurorët

Shkruar nga Pamfleti
Saimir Tahiri del nga SPAK, ish-ministri 2 orë e gjysmë në pyetje
Tahiri në SPAK

Del pas afro 2 orë e gjysmë nga ambientet e SPAK, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai u mor sot në pyetje lidhur me një hetim pasuror që ka nisur ndaj tij. Tahiri ishte i shoqëruar nga avokati i tij Maksim Haxhia. Tahiri hyri në ambientet e SPAK rreth orës 13.00 dhe doli në orën 15.40.

Saimir Tahiri u thirr nga prokurori Elvin Goga në lidhje me një hetim pasuror të nisur ndaj tij prej disa muajsh. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tahiri nuk foli për mediat, ndërsa pyetjeve të shumta të gazetarëve zgjodhi t'iu përgjigjet vetëm me "Nuk kam asgjë për të thënë". 

Tahiri është detyruar të lërë shtëpinë ku vijon të kryejë dënimin sipas vendimit të gjykatës së Elbasanit, e cila vendosi që ish-ministri ta krye pjesën e mbetur të dënimit në banesë.  

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre".

Ai qëndroi vetëm një vit e katër muaj në qeli, deri në 2 qershor 2023 kur Gjykata e Elbasanit mori vendimin që ish ministri dënimin e mbetur prej 1 vit e 8 muaj e 15 ditë ta kryente në banesën e tij.