
Vendimi i fundit i firmosur nga ish-kryebashkiaku Tërmet Peçi, para se Rama ta kandidonte për deputet, është dhënia e kodrës së gjelbër mbi Tepelenë kompanisë së sallameve “Hako”, për të ndërtuar një fermë blegtorale për derrat, duke rrezikuar ndotje, epidemi dhe shkatërrimin e mjedisit. Dokumenti shoqërohet me një raport të falsifikuar kinse me miratimin e banorëve, ndërsa ky biznes ka marrë më parë falas edhe 104 hektarë tokë publike buzë Vjosës dhe qendrën e Butrintit...
Kryeministri Edi Rama, edhe në kulmin e fushatës elektorale, vazhdon të dhurojë pasuritë publike për oligarkët dhe sponsorët e PS-së nëpërmjet skemës famëkeqe të grabitjes së pronës publike me maskën e “investimeve strategjike”.
Një burim zyrtar nga Bashkia e Tepelenës ka bërë me dije për “Pamfletin” se Rama ka përgatitur skenarin për t'i dhuruar falas kompanisë së sallameve “Hako”, pronë e biznesmenit Adnand Hako, kodrën e gjelbër mbi qytetin e Tepelenës, e njohur si kodra e Pllaçisë. Ky vend është i vetmi ambient i gjelbër natyral i qytetit, i cili deri tani ka mbetur i paprekur nga çdo pushtet.
Vendimi për dhurimin e kësaj pasurie publike u firmos personalisht nga ish-kryebashkiaku Tërmet Peçi, pikërisht para dorëheqjes së tij për të kandiduar si deputet i PS-së. Peçi i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit, Komitetit të Investimeve Strategjike dhe Agjencisë së Territorit dokumentin me të cilin shprehet dakordësia për t'i dhënë kompanisë "Hako" kodrën mbi qytetin e Tepelenës, për të ndërtuar atje një fermë të madhe blegtorale dhe kullota derrash për një periudhë prej 99 vitesh.

Madje, për ta justifikuar këtë skandal, Bashkia Tepelenë ka prodhuar një raport të falsifikuar, ku pretendohet gjoja se ka marrë miratimin dhe mbështetjen e banorëve, kur në fakt qytetarët e Tepelenës nuk kanë pranuar asnjëherë prekjen e kësaj zone të gjelbër dhe të mbrojtur, madje as gjatë trazirave të vitit '97.
Kodra mbi Tepelenë do të jepet me statusin e një “investimi strategjik”, që ligjërisht parashikon vetëm investime turistike apo infrastrukturore me interes publik. Në realitet, ajo do të kthehet në një kompleks gjigand stallash për derrat, duke kërcënuar drejtpërdrejt shëndetin publik dhe mjedisin e qytetit. Era e keqe dhe rreziku për epidemi nga mbetjet e fermës janë të pashmangshme, ndërsa mbetjet organike të derrave do të shkarkohen direkt në lumin Vjosë, që kalon poshtë kodrës.
Por ky nuk është skandali i parë për kompaninë “Hako” në Tepelenë. Më herët, me Vendim nr. 17/5, datë 18 korrik 2022 të Komitetit të Investimeve Strategjike, drejtuar nga vetë Rama, kjo kompani ka marrë edhe 104 hektarë tokë publike pyllore buzë lumit Vjosë në Peshtan, gjoja për resort turistik dhe ferma blegtorale.
Madje për furnizimin me ujë të këtij kompleksi, pronari i "Hako" ka marrë ujin e fshatit Mezhgoran me një linjë të dedikuar ujësjellësi, financuar nga buxheti i shtetit me 3.8 milionë euro, duke lënë pa ujë banorët e zonës.
Si të mos mjaftonin këto privilegje, ministrja Mirela Kumbaro, me kontratën Nr. 3681, datë 02.06.2017, i ka dhënë të njëjtës kompani edhe qendrën turistike të Butrintit, të cilën kompania “Hako” e ka kthyer në restorante dhe bujtina betoni, duke e shfrytëzuar falas për 12 vite me të drejtë ripërtëritjeje edhe për 15 vite të tjera.
Në këtë mënyrë, Edi Rama vazhdon të shpërblejë oligarkët sponsorë të fushatës, duke i shitur publikut “investime strategjike” që në fakt janë grabitje skandaloze të pasurisë së shqiptarëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje