Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos si Kryeprokuror i ri i SPAK, duke përshëndetur procesin dhe konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për institucionin e drejtësisë së re në Shqipëri.
Ambasada ka vlerësuar edhe rolin e Altin Dumanit gjatë këtyre 3 vite në krye të organit të akuzës.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si Kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.
Duke përmendur sfidat që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, Ambasada shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Klodian Brahon në rolin e tij të ri. “Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho”, shtoi përfaqësia diplomatike.
Mesazh i qartë i SHBA-ve mbetet i pandryshuar: mbështetje për institucionet e drejtësisë që tregojnë integritet dhe vendosmëri në luftën kundër paligjshmërisë, pa ndërhyrje politike.
Lini një Përgjigje