TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Shkurt 2026, 15:01

Sipërmarrësi italian humbi jetën pas ngushtimit të stomakut te 'Trita Hospital', reagon familja: Duam drejtësi

Shkruar nga Pamfleti
Sipërmarrësi italian humbi jetën pas ngushtimit të stomakut
Massimo Ferro

Një kirurg italian në Tiranë po hetohet nga autoritetet italiane, pasi një pacient 54-vjeçar, i operuar për ngushtim stomaku në një klinikë private në Tiranë, humbi jetën katër ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Pacienti, sipërmarrësi italian Massimo Ferro, vuante nga diabeti i tipit II dhe kishte vendosur t’i nënshtrohej një operacioni bariatrik pas dështimit të dietave për humbje peshe. Ndërhyrja u krye më 18 dhjetor 2025 në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, pas një konsultimi të mëparshëm në Milano me kirurgun Andrea Formiga, i cili i sugjeroi kryerjen e operacionit në Shqipëri për një kosto më të ulët.

Sipas familjarëve, analizat dhe kontrollet paraoperatore nuk u kryen në Itali dhe u shtynë për ditën para ndërhyrjes në Tiranë. Ata pretendojnë se në klinikë nuk u respektuan protokollet mjekësore të parashikuara për pacientët me obezitet dhe diabet, duke përfshirë mungesën e trajtimit për sëmundjen shoqëruese dhe përgatitjes para operacionit.

Ditën pas ndërhyrjes, pacienti komunikoi me familjen duke thënë se gjendja ishte e mirë. Megjithatë, sipas denoncimit, ai nisi të shfaqte lodhje të theksuar dhe nivele të larta glicemie. Më 20 dhjetor u shfaq temperaturë e lartë, ndërsa më 21 dhjetor gjendja u rëndua me vështirësi në frymëmarrje. Ai u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza”, ku iu kryen disa analiza dhe u trajtua, përpara se të kthehej sërish në klinikën private.

Mëngjesin e 22 dhjetorit, katër ditë pas operacionit, pacienti pësoi arrest kardiak në ambientet e “Trita Hospital” dhe u transferua me urgjencë në QSUT. Fillimisht u raportua një stabilizim i gjendjes, por në mbrëmje familjarët u njoftuan se ai kishte ndërruar jetë.

Familja deklaron se deri më tani nuk i është dhënë një shpjegim i qartë për shkakun e vdekjes dhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave. Autoritetet italiane kanë nisur hetim ndaj kirurgut Andrea Formiga dhe dietologes Alessandra Freda, e cila sipas denoncimit i kishte orientuar pacientët drejt ndërhyrjeve kirurgjikale. Formiga rezulton të jetë i lidhur profesionalisht edhe me struktura të tjera private shëndetësore të lidhura me klinikën ku u krye operacioni.

Ndërsa hetimi në Itali ka nisur, mbetet e paqartë nëse për rastin është hapur një procedim edhe nga autoritetet shqiptare, në një çështje që ka ngritur pikëpyetje mbi standardet mjekësore dhe kontrollin e klinikave private.

massimo ferro 'trita hospital' tiranë

Lini një Përgjigje