TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Shkurt 2026, 13:06

Mbi 120 raste në ditë në urgjencën e Fierit, mjekët: Simptoma që zgjasin disa ditë

Shkruar nga Pamfleti

Mbi 120 raste në ditë në urgjencën e Fierit, mjekët:

Mbi 120 pacientë paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Fierit, si pasojë e virozave sezonale dhe gripit.

Mjekja Ilva Çuni flet për një fluks të lartë të prekurish mes grup-moshave 15–25 vjeç dhe 70–80 vjeç, ndërkohë që fatkeqësisht nuk kanë munguar as rastet me pasoja fatale.

Sipas mjekes, piku i gripit është shënuar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku numri i vizitave ditore në urgjencë ka arritur deri në 160 pacientë në 24 orë.

“Çdo ditë në Urgjencën e Fierit paraqiten mbi 120 pacientë, ndërsa gjatë pikut të gripit numri ka shkuar deri në 160 pacientë në 24 orë”, shprehet mjekja Çuni.

Ajo thekson se muaji janar ka regjistruar një rekord qytetarësh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, me rreth 4 mijë raste të trajtuara vetëm në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.

Mjekja shprehet për “TCH” se gripi i këtij viti, krahasuar me një vit më parë, është karakterizuar nga një kohëzgjatje më e madhe e simptomave, si edhe nga rikthimi i tyre pas disa ditësh përmirësimi.

Më të prekur nga gjendjet virale kanë qenë pacientët me sëmundje kronike, një pjesë e të cilëve janë hospitalizuar. Në këtë kuadër, mjekja Çuni bën thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut të familjes.

“Antibiotikët nuk duhet të merren pa rekomandimin e mjekut të familjes, pasi në shumë raste nuk janë të nevojshëm dhe mund të përkeqësojnë gjendjen”, thekson mjekja Çuni.

 

Lini një Përgjigje