Hita theksoi se krimi i organizuar po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, duke shfrytëzuar teknologjinë, globalizimin dhe zhvillimet e shpejta ekonomike e shoqërore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita ka prezantuar raportin “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda – SOCTA 2026”, duke e cilësuar atë si dokumentin më të rëndësishëm strategjik dhe analitik për luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se krimi i organizuar po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, duke shfrytëzuar teknologjinë, globalizimin dhe zhvillimet e shpejta ekonomike e shoqërore.
Sipas tij, raporti i hartuar sipas metodologjisë së standardizuar të Europolit analizon grupet kriminale, aktivitetet e tyre, faktorët që favorizojnë veprimtarinë kriminale dhe rrezikun që ato paraqesin për shoqërinë.
Një nga risitë kryesore të raportit SOCTA 2026 është përfshirja e një analize të thelluar mbi krimet mjedisore, të cilat sipas Policisë së Shtetit përbëjnë një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Hita nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se hetimet e përbashkëta dhe koordinimi operacional mbeten elementë kyç për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë përtej kufijve shtetërorë.
Në fjalën e tij, kreu i Policisë vlerësoi edhe investimin në burimet njerëzore, duke përmendur certifikimin e specialistëve të Policisë së Shtetit përmes projektit EU4LAW Enforcement, si pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet profesionale të institucionit.
“Policia e Shtetit e ka të qartë drejtimin e saj, një polici moderne, profesionale, e orientuar nga inteligjenca dhe e mbështetur në partneritete të forta kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se suksesi në luftën kundër krimit nuk matet vetëm me statistika apo operacione policore, por edhe me nivelin e sigurisë që ndjejnë qytetarët dhe besimin që ata kanë tek institucionet e shtetit.
Fjala e plotë e kryepolicit Skender Hita:
Sot jemi këtu jo për të prezantuar thjesht një raport, por për të prezantuar instrumentin strategjik që do të orientojë veprimin tonë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në vitet në vijim.
Në realitetin e sotëm të sigurisë, krimi është gjithnjë e më i organizuar, më i sofistikuar dhe më i aftë të shfrytëzojë teknologjinë, globalizimin dhe hapësirat që krijojnë zhvillimet e shpejta ekonomike e shoqërore.
Raporti “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda – SOCTA 2026” përfaqëson dokumentin tonë më të rëndësishëm strategjik dhe analitik.
Përmes metodologjisë së standardizuar të Europolit, ne kemi analizuar grupet kriminale, aktivitetet e tyre, faktorët lehtësues dhe dëmin që ato synojnë t’i shkaktojnë shoqërisë sonë. Ky proces na jep një avantazh të rëndësishëm, të kuptojmë jo vetëm se ku ndodhet kërcënimi sot, por edhe si mund të evoluojë ai nesër.
Një risi e rëndësishme e këtij raporti është analiza e thelluar e krimeve mjedisore. Këto fenomene, edhe pse shpesh më pak të dukshme se format tradicionale të kriminalitetit, përbëjnë një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Përballë një krimi që vepron përtej kufijve, përgjigjja jonë do të jetë bashkëpunimi pa kufi. Hetimet e përbashkëta dhe koordinimi operacional mbeten elementë kyç të suksesit tonë.
Investimi në dije dhe në kapital njerëzor është investimi më i sigurt për të ardhmen e luftës kundër krimit të organizuar.
Certifikimi i specialistëve tanë nga projekti EU4LAW Enforcement është dëshmi konkrete se po ndërtojmë një brez të ri profesionistësh që do të forcojnë më tej aftësinë e Policisë së Shtetit për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Në mbyllje, dua të theksoj se Policia e Shtetit e ka të qartë drejtimin e saj, një polici moderne, profesionale, e orientuar nga inteligjenca dhe e mbështetur në partneritete të forta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për ne, suksesi nuk matet vetëm me statistika apo operacione të suksesshme. Ai matet me sigurinë që ndjen çdo qytetar, me besimin që publiku ka tek institucionet dhe me dobësimin e çdo strukture kriminale që cenon rendin, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjit, të sigurisë publike dhe të jetës e pronës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe sigurinë e miliona vizitorëve e turistëve që çdo vit zgjedhin vendin tonë si destinacion turistik.
Ju faleminderit!
Lini një Përgjigje