
Temperaturat kanë arritur nivelet më të larta të këtij viti në Shqipëri, ndërsa vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin ka kulmuar këtë të hënë.
Qyteti i Beratit regjistroi vlerën më të lartë, me 47 gradë Celsius në diell dhe 42 gradë në hije, ndërsa në Tiranë termometri shënoi 45 gradë në diell gjatë orëve të mesditës.
Sipas meteorologëve, nga dita e martë pritet një ulje e lehtë e temperaturave, por lagështira e lartë do të bëjë që ndjesia e vapës të mbetet pothuajse e pandryshuar.
Një freskim më i ndjeshëm i motit pritet të nisë nga e premtja, kur temperaturat do të bien dhe në disa zona të vendit parashikohen edhe rrebeshe shiu.
Megjithatë, ky përmirësim nuk do të zgjasë. Sipas parashikimeve, pas kësaj pauze të shkurtër, Shqipëria do të përfshihet sërish nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan, duke rikthyer temperaturat e larta në të gjithë territorin.
Lini një Përgjigje