Sekuestrimi i celularëve është një metodë që ka alarmuar politikën. Pjesa dërrmuese e ministrave, deputetëve dhe funksionarëve kanë asgjësuar telefonat e vjetër...
Sekuestrimi i celularëve dhe përgjimet janë metoda më e përdorur nga SPAK për goditjen e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Sipas raportit vjetor të SPAK për vitin 2025, përgjimet janë përdorur në 186 procedime penale gjatë vitit të kaluar. Në total janë interceptuar 3004 pajisje telefonike, që do të thotë se mijëra komunikime të personave nën hetim janë monitoruar në kuadër të hetimeve të institucionit.
Aktiviteti i Zyrës së Përgjimeve është zhvilluar në kushte të një ngarkese të lartë pune, ndërsa SPAK thekson në raport se prioritet ka qenë respektimi i dispozitave ligjore që rregullojnë këtë proces. Për realizimin e përgjimeve janë dhënë 252 autorizime nga prokurorët, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë 1738 vendime të ndryshme, që përfshijnë lejime përgjimi, vlerësime të tyre dhe zgjatje të afateve të monitorimit.
Sipas raportit, në disa raste të dhënat e përfituara nga përgjimet kanë zbuluar edhe elementë të veprave të tjera penale jashtë objektit fillestar të hetimit, duke bërë të mundur regjistrimin e procedimeve të reja penale nga SPAK.
Por SPAK ka intensifikuar dhe sekuestrimin celularëve. Gjatë vitit 2025 në sektorin e ekspertizës kanë mbërritur 372 vendime ekspertimi që lidhen me 615 prova digjitale të sekuestruara në kuadër të hetimeve. Mes tyre përfshihen 503 telefona celularë dhe tableta, 98 kompjuterë, 14 pajisje DVR si dhe 153 prova të tjera digjitale si disqe të jashtëm, USB, karta memorie apo CD dhe DVD.
Sekuestrimi i telefonave është një metodë që ka alarmuar politikën. Pjesa dërrmuese e ministrave, deputetëve dhe funksionarëve kanë asgjësuar telefonat e vjetër. Po ashtu të gjithë po përdorin aplikacione me shkallë të lartë sigurie. Duhet të theksojmë se BKH i sekuestroi 6 telefona Monika Kryemadhit dhe falë tyre u gjetën prova të forta që çuan pas hekurave Ilir Metën.
Pjesë nga raporti i SPAK
Gjatë vitit 2025, aktiviteti i Zyrës së Përgjimeve është zhvilluar në kushte të një ngarkese të konsiderueshme pune, e përballuar me angazhim maksimal, siç evidentohet nga të dhënat statistikore në vijim.
Prioritet ka qenë zbatimi i dispozitave ligjore që normojnë veprimtarinë e kësaj Zyre.
Përgjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale.
Për vitin 2025, Bërthama Komanduese Elektronike, ka ekzekutuar në interes të çështjeve penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar:
252 Autorizime të Prokurorit për lejim përgjimi;
1738 Vendime të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga të cilat:
373 Vendime Lejim Përgjimi
235 Vendime Vleftësimi
1130 Vendime Zgjatjeje
Gjatë vitit 2025, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar 3004 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim).
Nga këto, disa procedime janë finalizuar me masa të ndryshme sigurimi nga Gjykata.
Mbi të dhënat e interceptimit jashtë objektit të hetimit, është mundësuar regjistrimi i procedimeve penale kryesisht.
Më poshtë gjendet pasqyra përmbledhëse e procedimeve penale për vitin 2025 e krahasuar me vitet e mëparshme për të cilat është kërkuar përgjimi telefonik.
Vendimet e ardhura për ekspertim:
Gjatë vitit 2025 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 372 vendime ekspertimi për 615 prova digjitale dhe konkretisht për 503 telefona celularë dhe tabletë, 98 kompjutera, 14 DVR dhe 153 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.)
Për vitin 2024 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova digjitale dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.)
Për vitin 2023 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 345 vendime ekspertimi për 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (USB, karta memorie, CD/DVD, etj.).
Për vitin 2022 kanë ardhur për ekspertim 240 vendime ekspertimi për 500 prova digjitale dhe konkretisht 328 telefona celularë, 59 kompjutera, 11 DVR dhe 102 prova të tjera digjitale (USB, karta memorie, CD/DVD, etj.)
Akte ekspertimi të realizuara:
Gjatë vitit 2025 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 336 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 516 prova digjitale në total dhe konkretisht 375 telefona celularë dhe tabletë, 65 kompjutera, 13 DVR dhe 63 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.). /Pamfleti
Lini një Përgjigje