TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2026, 15:01

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

SPAK ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku evidentohet rritja e hetimeve dhe aktiviteti i grupeve kriminale në Shqipëri. Sipas raportit, këto grupe përdorin skema të ndryshme për pastrimin e parave në tregun shqiptar, përmes investimeve në biznese, ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

Në zhvillimet gjyqësore, Gjykata e Apelit ka konfirmuar pezullimin e Belinda Ballukut, duke lënë në fuqi vendimin e SPAK. Avokati i saj kërkoi ndërprerjen e procesit për shkak të shkarkimit nga detyra, por kërkesa nuk u pranua.

Ndërkohë është shtyrë edhe seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Gjykimi në themel nuk u zhvillua për shkak të mungesës së disa avokatëve, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë.

Vëmendje ka tërhequr edhe investigimi i emisionit italian “Le Iene”, i cili ka zbarkuar në Tiranë për të hetuar fenomenin e “call center”-ëve. Gazetari Luigi Pelazza po investigon rrjete që dyshohet se gjenerojnë fitime milionëshe dhe që mund të kenë edhe mbrojtje politike.

Në drejtësi, Prokuroria ka mbyllur hetimet për dosjen “Rana e Hedhur” në Shëngjin. Çështja është dërguar për gjykim dhe 9 persona akuzohen për ndërtime pa leje në këtë zonë bregdetare.

Ndërkohë është liruar nga burgu në Shqipëri Ilir Paja, i njohur me nofkën “Ufo”, i cili është bërë i njohur për arratisje spektakolare dhe dënime të rënda në Itali dhe Gjermani.

Policia ka kryer gjithashtu disa arrestime. Në Durrës është ndaluar një 44-vjeçar pas një konflikti në familje, por ai është arrestuar pasi ka kërcënuar efektivët e policisë. Një tjetër incident është regjistruar në Athinë, ku një shqiptar ka kërcënuar me thikë punonjësit e një zyre të sigurimeve shoqërore, duke çuar në nisjen e hetimeve nga autoritetet greke.

Ndërkohë, pas katër vitesh në arrati, një shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane dhe belge, i dyshuar se kishte qëlluar me armë ndaj një bashkatdhetari. Një tjetër shqiptar është arrestuar në Itali për trafik kokaine, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij policia ka sekuestruar drogë, hashash dhe municione.

Në fund, Belgjika ka ngritur alarmin për fuqizimin e mafies shqiptare, duke paralajmëruar se trafiku i drogës dhe aktivitetet kriminale mund të rrezikojnë stabilitetin dhe ta çojnë vendin drejt fenomenit të një “narko-shteti”. 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje