TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Prill 2025, 15:17

SPAK-u në mbrojtje të çiftit Xhaçka-Gaçi; 10 pyetje për Altin Dumanin dhe Ols Dadon

Shkruar nga Pamfleti

 

SPAK-u në mbrojtje të çiftit Xhaçka-Gaçi; 10
Olsi Dado dhe Altin Dumani /

Pas sekuestrimit të tokës në Himarë dhe arrestimit të ish-kryebashkiakut Jorgo Goro, SPAK bëri kthesën e papritur duke kërkuar të mos hetohet çifti Xhaçka-Gaçi, duke deklaruar se ata nuk kanë falsifikuar dokumente. Altin Dumani dhe Ols Dado janë bërë palë me pushtetin për të fshehur të vërtetën, duke hedhur hije mbi besueshmërinë e drejtësisë së re. Ja 10 pyetje që zbulojnë skandalin që po përpiqet të mbulojë SPAK.

Zakonisht jemi mësuar që prokurorët e SPAK të apelojnë vendimet e Gjykatës së Posaçme vetëm kur gjyqtarët lehtësojnë pozitat e të pandehurve. Mirëpo, të premten ndodhi e kundërta. SPAK zyrtarisht ndërhyri në favor të çiftit Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, duke kërkuar mos-hetimin e tyre lidhur me aferën e grabitjes së tokës në Himarë, rast për të cilin ish-kryebashkiaku Jorgo Goro dhe disa vartës janë tashmë të arrestuar.

Në datën 1 prill 2025, gjyqtarja Flora Haradinaj urdhëroi SPAK-un që, krahas Jorgo Goros dhe tre zyrtarëve të tjerë, të niste hetimet penale edhe për Artan Gaçin dhe Olta Xhaçkën, me akuzat “Shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh me pasojë vjedhje pasurie dhe pastrim parash në bashkëpunim”. Arsyeja ishte e qartë: të gjitha dokumentet e tokës së përfituar për resortin ishin rezultat i falsifikimeve të bëra nga grupi i përbashkët ku përfshihen edhe çifti Gaçi-Xhaçka.

Por çuditërisht, prokurori Ols Dado dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, jo vetëm që nuk vepruan sipas vendimit të gjykatës, por madje apeluan me urgjencë vendimin e shkallës së parë, duke kërkuar që çifti në fjalë të mos hetohet fare. Argumenti i tyre është skandaloz: "Janë bërë hetime të shumta dhe të thella, dhe nuk rezulton që çifti Xhaçka-Gaçi të kenë falsifikuar dokumentet."

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përse SPAK ka arrestuar Jorgo Goron? Për kë janë bërë falsifikimet e dokumenteve nëse jo për çiftin Xhaçka-Gaçi? Përse është vendosur konfiskimi i tokës dhe ndërprerja e punimeve në resort?

SPAK-u dhe drejtuesit e tij janë sot para një skandali që mund të përmblidhet me 10 pyetje të thjeshta, por kritike për drejtësinë e re në Shqipëri:

1. Nëse nuk ka falsifikime, përse është arrestuar ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro?
2. Për cilët është bërë falsifikimi i dokumenteve, sipas vetë SPAK-ut në akt-akuzën ndaj Goros?
3. Nëse Xhaçka-Gaçi nuk kanë falsifikuar, përse u sekuestrua toka dhe u bllokuan punimet?
4. Nëse gjithçka është e pastër, pse keni pranuar konfiskimin e tokës dhe kthimin e saj në pronësi të shtetit?
5. Përse deklaroni që keni bërë hetime të shumta, kur gjykata konfirmoi se për çiftin Xhaçka-Gaçi nuk është kryer asnjë hetim serioz?
6. A është e vërtetë që provat e dorëzuara nga BKH që tregojnë përfshirjen e çiftit në falsifikim janë lënë jashtë dosjes nga SPAK?
7. Nëse nuk ka falsifikime, përse nuk kërkoni lirimin e menjëhershëm të Jorgo Goros?
8. Çfarë interesi ka SPAK-u që apelon urgjentisht vendimin e gjykatës për të mbrojtur Xhaçka-Gaçi, a jeni avokatët e tyre apo prokurorë në shërbim të publikut?
9. A jeni ju fytyra e drejtësisë së re apo vazhdim i drejtësisë së vjetër, e cila shërben si mburojë për mafien politike dhe qeveritare?
10. A do të reagojnë ndaj këtij skandali Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet t’i japë SPAK, nëse dëshiron vërtet t'i shërbejë drejtësisë dhe jo pushtetit.

Ky është një test serioz, jo vetëm për Dumanin e Dadon, por për të gjithë drejtësinë e re që pretendon se është ndërtuar në Shqipëri./ Pamfleti

ols dado altin dumani olta xhaçka artan gaçi spak

Lini një Përgjigje