TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 12:42

Strasburgu rrëzon shkarkimin ish-prokurorit Ferdinand Elezi, Shqipëria duhet ta dëmshpërblejë

Shkruar nga Pamfleti
Strasburgu rrëzon shkarkimin ish-prokurorit Ferdinand Elezi, Shqipëria
Ferdinand Elezi


Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur në favor të ish-prokurorit Ferdinand Elezi, duke konstatuar se shkarkimi i tij nga procesi i rivlerësimit kalimtar nuk respektoi standardet e proporcionalitetit të kërkuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vendimin e publikuar më 23 qershor 2026, gjykata analizoi dokumentacionin dhe argumentet e paraqitura nga palët, përpara se të arrinte në përfundimin se largimi i Elezit nga sistemi i drejtësisë nuk përbënte një masë të nevojshme në një shoqëri demokratike.

Sipas arsyetimit të Strasburgut, autoritetet shqiptare nuk arritën të provonin se masa e shkarkimit ishte në raport të drejtë me problematikat e konstatuara gjatë procesit të vetingut. Gjykata vuri në dukje se Elezi kishte kaluar kontrollin e figurës dhe vlerësimin profesional, ndërsa çështjet e evidentuara kishin të bënin me probleme serioze metodologjike në analizën e të ardhurave.

Përveç konstatimit të shkeljes, Gjykata Europiane urdhëroi shtetin shqiptar të paguajë dëmshpërblim për dëmin moral të shkaktuar ndaj ish-prokurorit, si edhe të mbulojë shpenzimet gjyqësore të procesit.

Vendimi krijon gjithashtu mundësinë për rihapjen e procedurave që lidhen me rastin e Elezit. Në praktikë, kjo i hap rrugë rishqyrtimit të çështjes së tij në përputhje me standardet e përcaktuara nga Strasburgu dhe mund të ndikojë në perspektivën e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë.

Pas afro gjashtë vitesh përballje ligjore, Elezi siguroi një fitore në instancën më të lartë europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vendimi sjell gjithashtu në vëmendje debatin mbi proporcionalitetin e disa vendimeve të marra gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Karriera e Ferdinand Elezit

Ferdinand Elezi ka lindur më 12 nëntor 1968 në Peqin. Formimin universitar e përfundoi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku më pas ndoqi edhe studimet e Masterit Shkencor dhe doktoraturën.

Ai e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997, si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Durrësit. Dy vite më vonë mori drejtimin e Prokurorisë së Kavajës, detyrë që e ushtroi deri në vitin 2003.

Më pas drejtoi Prokurorinë e Durrësit, ndërsa gjatë viteve 2005-2006 shërbeu si drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Nga korriku i vitit 2006 dhe deri në nisjen e procesit të vetingut, ai ushtroi funksionin e drejtuesit dhe prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Gjatë aktivitetit profesional, Elezi ka marrë vlerësime maksimale në proceset periodike të vlerësimit. Ai ka zhvilluar gjithashtu veprimtari akademike për më shumë se një dekadë si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe mban gradën profesor i asociuar, si edhe titullin doktor i shkencave.

Më 9 prill 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Kolegji i Posaçëm i Apelimit e la në fuqi këtë vendim më 30 shtator 2020.

Tashmë, me vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, masa e shkarkimit është vlerësuar si joproporcionale, duke i dhënë të drejtë ish-prokurorit në një prej vendimeve më domethënëse të Strasburgut që lidhen me procesin shqiptar të vetingut.

ferdinand elezi

Lini një Përgjigje