Aktualitet 1 Dhjetor 2023, 21:24

‘Strategjikët’ nuk kanë kohë, Belinda Balluku propozon përshpejtim për lejet e ndërtimit në bregdet!

Shkruar nga Pamfleti

‘Strategjikët’ nuk kanë kohë, Belinda Balluku

Nën kërcënim nga këto ndryshime nuk është vetëm ajo pjesë e bregdetit e mbetur pa zaptuar ende nga strategjikët. Nën kërcënim janë edhe zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare...

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit nëpër komisionet parlamentare, ministri i Financave, Ervin Mete tha se ligji aktual për investimet strategjike, aq fort i kontestuar do të shfuqizohet dhe do të zëvendësohet me një tjetër ligj për të cilën ministria po punon.

Ministri Mete nuk dha afate, ndërsa ligji për investimet strategjike skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Por, një projektligj i hedhur për konsultim nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtuar nga Belinda Balluku sugjeron se ky ligj mund të zgjatet në seancat e fundit të Kuvendit për këtë vit, ashtu siç ka ndodhur prej vitit 2018, kur është zgjatur vazhdimisht.

I konceptuar si një ligj i përkohshëm në vitin 2015, ligji për investimet strategjike është kritikuar si mekanizmi përmes të cilit po grabiten pronat shtetërore dhe ato të qytetarëve, sidomos në zonat bregdetare.

Përmes këtij ligji, kompani dhe biznesmenë të fuqishëm në vend kanë përfituar statusin e investitorit strategjik dhe siguruar leje për ndërtime resortesh, godinash, hotelesh e deri edhe porte për jahte nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Ky ligj, por edhe ndërhyrjet e tjera ndër vite të socialistëve në ligjin për TVSH-në, për shpronësimet, taksat dhe infrastrukturën u garantoi një status më shumë se strategjik investitorëve strategjikë. Ky privilegj, sipas propozimit të ri të Ministrisë së Infrastrukturës mund të zgjerohet.

Projektligji i hedhur për konsultim nga ministria e drejtuar nga Belinda Balluku përcakton ndërhyrjen në nenin 49 të ligjit dhe përfshirjen në të të parashikimit të procedurave të përshpejtuara për lejet e ndërtimit për investitorët strategjikë.

Megjithatë, shkurtimi i afateve për sigurimin e lejeve të ndërtimit nuk u garanton kohë investitorëve strategjikë që të sigurojnë këto leje brenda këtij viti, kur edhe skadon afati i ligjit për investitorët strategjikë. Kjo sugjeron se socialistët po përgatiten për shtyrjen e katërt të afatit të këtij ligji me arsyetimin e dhënë që prej vitit 2018, ‘se Ministria e Financave po punon për një ligj të ri’.

Nën kërcënim nga këto ndryshime nuk është vetëm ajo pjesë e bregdetit e mbetur pa zaptuar ende nga strategjikët. Nën kërcënim janë edhe zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, nëse në Kuvend miratohet propozimi i 12 deputetëve socialistë për të ndërhyrë në ligjin për zonat e mbrojtura duke u hapur rrugë ndërtimeve.

12 deputetët në fjalë, këto propozime i argumentojnë me mungesën e çlirimit të potencialit të plotë ekonomik për komunitetet lokale në këto zona. Por, se sa kanë përfituar komunitetet lokale nga investimet strategjike deri më tani…bilanci dihet. /VoxNews