
U kualifikuan vetëm 2 kandidatë, KED kërkon rihapjen e garës për mandatin e Elsa Toskës...
Në kulmin e përplasjeve me Gjykatën e Lartë dhe Kuvendin, një tjetër ngërç është shfaqur në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka pezulluar procedurat për plotësimin e vakancës së krijuar nga dorëheqja e magjistrates Elsa Toska. Shkak i pezullimit është bërë fakti se nuk u plotësua numri minimal i tre kandidatëve që kërkohet për të vijuar me përzgjedhjen.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, KED analizoi dokumentacionin dhe përputhshmërinë e kandidaturave me kriteret ligjore, por vetëm dy aplikantë kaluan filtrat. Në mungesë të një të treti, Këshilli, i drejtuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, vendosi pezullimin e procedurës dhe kërkoi nga Kuvendi rishpalljen e thirrjes për këtë pozicion.
“Gjatë fazës së verifikimeve, u konstatua se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore ka rënë nën pragun minimal...”, thuhet në vendimin zyrtar të KED, që rikujton edhe rëndësinë e përtëritjes së rregullt të trupës së Kushtetueses, siç përcaktohet nga vetë Kushtetuta dhe vendimi nr. 84/2024 i kësaj gjykate.
Aktualisht Kushtetuesja është me 8 anëtarë dhe kjo mungesë mund të krijojë probleme te çështjet që kërkojnë 5 vota. Pra mund të ndodhë që votimit të jetë 4 me 4 dhe në këtë mënyrë një çështje do të kalonte pa vendim.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur një ditë më parë Gjykata e Lartë sulmoi Kushtetuesen për mandatin e Sonila Bejtes. Këtë vit duhet të zëvendësohet edhe kjo e fundit, por Kushtetuesja nuk shpall vakancën. Dje pati kritika të forta nga Gjykata e Lartë mbi këtë çështje.
Vendimi
Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi procesin e verifikimit të kushteve ligjore të kandidatëve të paraqitur për vendin vakant të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, shpallur nga Kuvendi më datë 30.09.2024,
- meqenëse numri i kandidatëve në garë, pas verifikimit kushteve ligjore, ka rënë nën 3 (tre);
- në respekt të dispozitave kushtetuese e ligjore, si dhe në funksion të parimit të rritjes konkurueshmërisë e të sigurimit të numrit minimal të kandidaturave, nëpërmjet shtimit të numrit të opsioneve për organin e emërtesës në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për këtë vend vakant;
- në zbatim të vendimit nr. 84/2024 të Gjykatës Kushtetuese, që ka sanksionuar se, “përtëritja e rregullt me një të tretën çdo tre vjet mbetet parim i rëndësishëm dhe ka përparësi ndaj kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”;
- në mbështetje të pikës 1 të nenit 125 të Kushtetutës, të nenit 7/c të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të pikës 2 të nenit 218 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si edhe të shkronjës “b” të pikës 49 të Vendimit nr. 4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi,
V E N D O S I:
1. Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit që e ka vënë në lëvizje, Kuvendin e Shqipërisë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese, shpallur më datë 30.09.2024.
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Lini një Përgjigje