TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Dhjetor 2025, 21:37

Tre vitet e Dumanit në SPAK, sukses apo propagandë? Ekspertët: Korrupsioni dhe krimi ende në nivele të larta

Shkruar nga Pamfleti

Tre vitet e Dumanit në SPAK, sukses apo propagandë? Ekspertët:

Hetimet e nisura në mandatin e parë të SPAK, ishin në fazë paraprake dhe ende pa prekur figurat më të mëdha të politikës.

Të pandehurit e parë ishin ish-ministra, ish-deputetë dhe zyrtarë lokalë. Dosje të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për të thyer mitin e pandëshkueshmërisë në nivele të larta.

“Vitet e fundit duket se lufta kundër korrupsionit vajti në nivelet më të larta. U ndëshkuan ish zyrtar por edhe zyrtarë në detyrë kohët e fundit. Kjo tregon se Prokuroria e Posaçme në tre vitet e para krijoj themelet e saj dhe në tre vitet e dyta arriti në konsolidimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.

“Nëse do shohim ecurinë e Prokurorisë së Posaçme, duket si ecuri e një fëmije, ku në tre vitet e para ishte duke marrë veten, më pas krijoj bazën për t’u rrit, për të dhënë këto rezultate që ka dhënë sot”, u shpreh Bleona Metushi, gazetare.

Mandati i sapo nisur i Altin Dumanit, do të përkonte me finalizimin e një sërë hetimeve të mbartura, si edhe mjaft dosje të reja të bujshme.

SPAK nuk u fokusua vetëm te politika, por goditi grupet e krimit të organizuar dhe trafiqet ndërkombëtare.

“Gjithmonë ka gabime por unë them që këto tre vite SPAK ka një performancë ndryshe, unë do thosha në sensin pozitiv, në trendin pozitiv, pasi gjithmonë ka nevojë për përmirësime”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.

“Ajo çka e ka ndihmuar Prokurorinë e posaçme në rritjen e numrit të hetimeve dhe të goditjeve në thonjëza, janë edhe vendime që kanë pasur nga autoritetet e huaja, sidomos të përgjimeve të bëra nga Encrochati dhe që janë material që kanë ardhur gjysmë të gatshme nga prokuroritë dhe autoritet partnere ndërkombëtare”, u shpreh Gentian Tërnova, ish-prokuror.

Në dyert e godinës prej xhami, shfaqeshin fytyra që dikur flisnin me arrogancën e të paprekshmëve. Bënin deklarata “patriotike” që nuk u besonin as vetë, ose përpiqeshin të fshiheshin pas frazës magjike “sekret hetimor”.

Ish-kryeministra, ish-Presidentë, ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, kryebashkiakë, e ish-kryebashkiakë dikur të pushtetshëm, të paprekshëm, hynin në këtë “linjë pritjeje” të drejtësisë.

“Po të shihni sondazhin e fundit gjithë tregojnë që dy shqetësimet e qytetarëve shqiptarë janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe janë dy fushat e kompetencave të SPAK-ut. Dhe kjo tregon që SPAK, pavarësisht punës të mirë që ka bërë ka shumë punë përpara”, u shpreh Rezart Kthupi, jurist.

“Është një mision i vështirë, por mund të kishte edhe pritshmëri më të mira, ka defekte, por gjithsesi mendoj që performanca është pozitive”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.

Kjo lloj shfaqjeje me politikanë e zyrtarë që parakalonin në dyert e SPAK, krijoi perceptimin se askush nuk ishte më mbi ligjin.

Një perceptim për të cilin dukshëm, edhe vetë prokuroria ishte angazhuar me disa forma të kamufluara që në zhargonin e marrëdhënieve publike njihen si PR. Aq sa në vendin përballë hyrjes së SPAK, u improvizua një strehë ku qëndronin gazetarët dhe operatorët e televizioneve për të filmuar çdo vizitor…

Shpesh, momenti kohor i finalizimit të aksioneve të caktuara të Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë konsideruar si lëvizje të paracaktuara për të mbajtur gjallë opinionin me lajme të bujshme nga godina e SPAK./TCH

2 Komente

    1. F
      Feti Dema

      Nëse SPAK , BKH , Prokurori i Përgjithshëm dhe KQZ do kishin vepruar , sot në Kuvëndin e Shqipërisë nuk do kishte kontigjente, që herët a vonë do jenë klientë të tyre.

      Lini një Përgjigje